Ndërsa qeveria reklamon Shqipërinë si historinë më të madhe të suksesit turistik në rajon, ekspertët paralajmërojnë se pas shifrave rekord fshihen probleme serioze që rrezikojnë zhvillimin afatgjatë të sektorit.
I ftuar në studion e "Kafe Shqeto", eksperti i ekonomisë Klodian Muço u shpreh se realiteti i turizmit shqiptar është shumë larg propagandës zyrtare, duke theksuar se vendi vazhdon të renditet ndër të fundit në Europë për cilësinë e ujërave, ndërsa projektet për trajtimin e ujërave të zeza kanë mbetur të papërfunduara.
Sipas Muços, qeveria po promovon investime strategjike në emër të turizmit, por në praktikë po ndërtohen kryesisht vila dhe apartamente për shitje, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të ketë mungesë të strukturave hoteliere cilësore.
Ai ngriti shqetësimin se modeli aktual po prodhon turizëm masiv dhe jo turizëm elitar, duke lënë pas dore problemet e infrastrukturës, ndotjes dhe akomodimit, të cilat po pengojnë vendin të përfitojë realisht nga bumi turistik.
Pjesë nga deklarata:
Shiko, raporti që ti sapo citove i Agjencisë Evropiane të Mjedisit, i publikuar në vitin 2024 dhe që i referohet vitit 2023, e ka nxjerrë Shqipërinë me 60.3% të ujërave të pastra për larje, ku përfshihen detet, lumenjtë dhe liqenet. Për t'ia konfirmuar Fatosit, si në vitin 2024 ashtu edhe në vitin 2023, në 3 ose 4 raporte të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, Shqipëria renditet në vendin e 29-të ose të 30-të, të paktën gjatë 3-4 viteve të fundit. Ky është fakt: Shqipëria ka ujëra relativisht të ndotura.
Për fat të keq, janë ndërmarrë një sërë nismash. Më vjen në mendje rasti i 11 bashkive ku kalon lumi Vjosa, ku është diskutuar zgjidhja e problemit të ujërave të zeza dhe janë marrë disa masa konkrete. Pra, projekti ka nisur deri diku, por jemi shumë mbrapa në kohë.
Rasti më tipik është ai i Tiranës, i cili nuk ka lidhje direkte me plazhet, por në fund të ditës kemi lumin Lana që kalon në mes të qytetit. Ka ekzistuar një projekt japonez që synonte t’i jepte zgjidhje përfundimtare kanalizimeve të ujërave të zeza dhe filtrimit të tyre.
Projekti ka mbetur në mes. Kushdo që kalon nga zona e Kombinatit, nga Pallati me Shigjeta deri në Kombinat, sheh ato gjysmë-ndërtesa që kanë mbetur të papërfunduara. Ky është fakt, nuk mund ta ndryshojmë.
Sa i përket turizmit, për të përsëritur atë që thanë si Zaku ashtu edhe Fatosi, Shqipëria, përtej aspektit të numrave – 12 milionë, 13 milionë apo 14 milionë turistë – sipas Agjencisë Botërore të Turizmit, gjeneron 16.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto pikërisht nga sektori i turizmit. Pra, turizmi është një sektor shumë i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare dhe konsiderohet ndër sektorët kryesorë.
Aktualisht, ndërsa ne po flasim, bujqësia, e cila ka qenë ndër vite një sektor i rëndësishëm i ekonomisë, kontribuon me 15.3%. Pyetja është: pse është bërë kaq i rëndësishëm turizmi? Ose pse turizmi është kthyer në një sektor primar të ekonomisë shqiptare?
Faktorët janë të shumtë. Një prej tyre janë sipërmarrësit si puna e Zakut, të cilët kanë investuar ndër vite dhe për dekada të tëra për të përmirësuar veten dhe për të ofruar një paketë turistike cilësore.
Ajo që bie në sy vitet e fundit është se ky bum turistik, përtej aspektit të numrave – dhe jam plotësisht dakord me Zakun që shpesh ngatërrohet koncepti i vizitorit tranzit me turistin – ka sjellë më shumë turistë sipas të dhënave zyrtare sesa Mali i Zi. Por kur vjen puna te netët e fjetura, përtej aspektit të informalitetit, ne jemi vetëm sa një e treta e Malit të Zi.
Megjithatë, përtej këtyre debateve, fakt është që turizmi po kthehet në një sektor primar. A jemi gati? Kjo ishte pyetja që bëre me të drejtë në fillim të bisedës.
Nuk jemi gati. Është çështja e transportit, e logjistikës që Zaku e përmendi pak më parë. Ka pasur konflikte në Lindjen e Mesme dhe vende si Turqia apo Egjipti kanë pësuar një tkurrje të ndjeshme të turizmit. Shqipëria mund të kishte përfituar shumë më tepër nga kjo situatë, ashtu siç ka përfituar Spanja, e cila ka kaluar në overbooking dhe fenomene të ngjashme. Ne nuk përfituam mjaftueshëm, sepse ka pasur abuzime relativisht të shumta.
Për të cituar edhe investimin e fundit që përmendi Fatosi, Shqipëria aktualisht, në mos gaboj, ka dhënë 71 leje për investime strategjike në sektorin e turizmit. Nga këto 71 investime, 70 janë investime shqiptare dhe vetëm një është investim i huaj, i lidhur me Portin e Durrësit.
Pa hyrë në detajet e secilit prej këtyre projekteve, fakt është që në shumicën e rasteve kemi parë, si në Palasë, Dhërmi e zona të tjera, që mali po “kafshohet” për të ndërtuar vila pafund. Kjo ndodh sepse forma më e thjeshtë e financimit të një projekti apo investimi strategjik është shitja e apartamenteve dhe vilave, duke ndërtuar më pas vetëm një ose dy struktura akomoduese.
Pra, ndër vite është investuar. Në pamje të parë, nisma e shtetit për të tërhequr investime të huaja, duke siguruar infrastrukturën mbështetëse si rrugë, ujë, energji elektrike e të tjera, mund të dukej shumë pozitive. Por fakti është se po ndërtohen kryesisht vila.
Dhe kjo nuk sjell turistë të huaj. Turistët e huaj kanë nevojë për struktura akomoduese me pesë yje, siç e përmendi Zaku pak më parë, të cilat ne i kemi shumë pak ose aspak.
Pjesa më e madhe e strukturave akomoduese turistike nuk janë hotele, por Airbnb. Dhe kjo çfarë sjell? Sjell një model turizmi që nuk tërheq shtresën e mesme dhe të lartë të turistëve, të cilët kërkojnë komoditet, shërbime të përfshira dhe standard hotelerie.
Në momentin kur një pjesë e konsiderueshme e strukturave akomoduese është Airbnb, kjo jo vetëm që ndikon në rritjen e çmimeve të apartamenteve në shumë zona të Shqipërisë dhe ua vështirëson jetën qytetarëve, por bën që të kemi jo turizëm elitar, por turizëm masiv.
© SYRI.net