Blushi përplaset me Ballën: Mocion me debat urgjent me Ramën për 5 kërkesat e drejta të protestuesve

Blushi përplaset me Ballën: Mocion me debat urgjent me Ramën për 5 kërkesat e drejta të protestuesve

11:04, 25/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend është zhvilluar një debat i fortë mes sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste, përfshirë Taulant Ballën, lidhur me kërkesën për një mocion me debat urgjent me kryeministrin Edi Rama mbi 5 kërkesat e protestuesve.

Blushi kërkoi që Kuvendi të vendosë në qendër të rendit të ditës kërkesat e qytetarëve protestues, duke akuzuar mazhorancën se po shmang përgjegjësinë dhe debatin parlamentar. Ai iu drejtua deputetëve të PS duke u thënë se duhet “të hapin sytë dhe veshët” dhe të dëgjojnë zërin e qytetarëve, ose të sqarojnë “për çfarë janë të penguar nga Edi Rama që nuk kanë as kurajon e Marjana Koçekut”.

Blushi deklaroi se kryeministri nuk mund t’i fshihet më, duke theksuar se nuk mund të ketë rend dite në seancë plenare pa përfshirë, siç u shpreh ai, kërkesat legjitime të protestuesve.

Në fjalën e tij, Blushi iu referua edhe Parlamentit Europian, duke thënë se ky institucion po diskuton kërkesat e protestuesve në Tiranë, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë, sipas tij, refuzon t’i trajtojë ato, gjë që e cilësoi “absurde”.

Ai kërkoi gjithashtu që në Kuvend të votohet urgjentisht një ndryshim kushtetues për kufizimin e mandatit të kryeministrit në vetëm dy mandate, duke theksuar se kjo nismë mbështetet edhe nga opozita dhe tregon, sipas tij, se ekziston vetëm një pengmarrës i demokracisë dhe rotacionit politik, të cilin e identifikoi me Edi Ramën.

Blushi shtoi se Partia e Lirisë është e gatshme ta miratojë menjëherë këtë ndryshim kushtetues, që sipas tij do t’i jepte fund “pengmarrjes së qeverisjes”.

Në fund të debatit, ai iu drejtua deputetëve duke i thënë se duhet të kenë “kurajon e Marjana Koçekut” dhe të distancohen nga qeveria, në të kundërt, rrezikojnë të “mbyten bashkë me të”.

Tedi Blushi:

Hapni sytë dhe veshët dhe dëgjoni zërin e qytetarëve ose tregoni për çfarë ju ka marrë peng Edi Rama, që s’keni as kurajon që pati Marjana Koçeku. Edi Rama nuk mund t’i fshihet më sovranit dhe llogaridhënies. Nuk mund të ketë rend dite në seancë plenare veç kërkesave legjitime dhe shumë të drejta të protestuesve.

Meqenëse Rama nuk ka as guxim dhe as këllqe të ballafaqohet me shqiptarët në shesh, të vijë të përballet në Kuvend urgjentisht.

Parlamenti Europian flet për kërkesat e protestuesve në Tiranë, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë refuzon të flasë për to. A ka absurd më të madh?

Parlamenti nuk mund të përfaqësojë vetëm interesat mafioze të Edi Ramës, por duhet të ketë kryeagjendë kërkesat e shqiptarëve.

Të votohet urgjentisht në Kuvend ndryshimi kushtetues për kufizimin e mandatit të Kryeministrit në vetëm 2 mandate.

Mbështetja e kërkesës edhe nga PD tregon qartë se ka vetëm një pengmarrës të demokracisë, rotacionit, llogaridhënies, standardeve europiane të qeverisjes së mirë dhe lirive e të drejtave të shqiptarëve, i cili është Edi Rama.

Partia e Lirisë shpreh vullnetin për ta miratuar menjëherë këtë ndryshim kushtetues, që i jep fund pengmarrjes mafioze të qeverisjes.

Keni kurajon që pati Marjana Koçeku dhe braktisni varkën e Edi Ramës nëse nuk mendoni që të mbyteni bashkë me të. Kuvendi duhet të reagonte menjëherë për kërcënimet që ka marrë Neomalesorja nga bandat e lidhura me Edi Ramën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco