Blushi: Rama i shmanget Kuvendit, PS bllokon mocionin për protestuesit

11:28, 25/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ritheksoi se mazhoranca ka refuzuar kërkesën për zhvillimin e një mocioni me debat urgjent në Kuvend lidhur me 5 kërkesat e protestuesve.

 Blushi akuzoi përfaqësuesit e Partisë Socialiste se po shmangin llogaridhënien dhe debatin parlamentar, duke mos pranuar që kryeministri Edi Rama të përballet me Kuvendin dhe qytetarët për çështjet që kanë ndezur protestat e fundit.

Ai theksoi se opozita ka kërkuar që këto kërkesa të jenë në qendër të rendit të ditës, ndërsa mazhoranca ka zgjedhur t’i rrëzojë, duke thelluar përplasjen politike në Kuvend.

Pjesë nga deklarata:

Nuk pata asnjë surprizë, madje dua të shpreh neverinë time për qëndrimet e shprehura në këtë mbledhje nga deputetët pengje të Edi Ramës. Sepse duhet të jesh peng që edhe në një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve të sillesh sikur asgjë nuk po ndodh, kur ndërkohë prej 26 ditësh kryefjala dhe kryeagjenda e debatit publik, e diskursit publik, janë pikërisht pesë kërkesat e drejta, legjitime, plotësisht demokratike të protestuesve.

Në këtë mbledhje, në emër të grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, kërkova që Edi Rama të vijë të japë llogari dhe të mos i fshihet më sovranit në Kuvendin e Shqipërisë. Unë e kuptoj pafuqinë e tij, mungesën e burrërisë për t’u përballur në shesh me shqiptarët, por Edi Rama nuk mund t’i shmanget dot detyrimit kushtetues për të dhënë llogari para Kuvendit.

Të dyja kërkesat u rrëzuan dhe, mbi të gjitha, është ironik fakti që Parlamenti Evropian diskuton për kërkesat e protestuesve në Tiranë, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë refuzon të diskutojë për kërkesat e protestuesve.

Kërkova nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste që, të paktën, në kushtet kur edhe lideri i opozitës dhe i Partisë Demokratike, profesor Sali Berisha, ka pranuar kërkesën e drejtë dhe legjitime të protestuesve për kufizimin në Kushtetutë të mandatit të kryeministrit në vetëm dy mandate, pra jo më shumë se tetë vite, në emër të Partisë së Lirisë dhe të grupit të saj parlamentar shpreha gjithashtu vullnetin për ta miratuar që sot këtë ndryshim kushtetues.

Por sigurisht u gjendëm përballë deputetëve pengje të Edi Ramës, të cilët nuk kanë as guximin e ish-koleges së tyre për t’u distancuar nga një bandë, por kanë vendosur të mbyten së bashku me Edi Ramën në varkën që po mbytet dhe që do të mbytet nën këmbët e sovranit, i cili edhe sot dhe nesër do të vijojë me shumë të drejtë protestat në shesh për largimin e një qeverie që qartësisht nuk përfaqëson më interesin publik dhe atë kombëtar.

Dhe do të distancohet pikërisht edhe nga këta deputetë, të cilët edhe në këtë mbledhje na flisnin për agjentë të zbuluar të Iranit apo të ndonjë fuqie tjetër të huaj, por që nuk shohin faktin se janë thjesht dhe vetëm pengje dhe si të tillë, si krimba, njësoj si kryebastardi në krye të qeverisë, i cili e ka kthyer Kryeministrinë, së bashku me kryetaren e Kuvendit, në agjenci turistike, si për t’iu shmangur llogaridhënies përballë qytetarëve.

Askush, pra u referohem gjithmonë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, nuk duhet të harrojë se nuk do të mund t’i shmanget dot kërkesave të drejta të shqiptarëve. Do të kërkojmë edhe në seancën plenare, me forcë, që kryeagjenda e diskutimeve të jenë vetëm pesë kërkesat e protestuesve.

Nuk ka asnjë temë tjetër më të rëndësishme në Kuvend, nuk ka asnjë çështje tjetër më të rëndësishme në Shqipëri sot sesa fakti që shqiptarët kanë mbushur jo vetëm bulevardin kryesor të Tiranës dhe sheshet kryesore të saj, por të gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe shqiptarët në diasporë, të cilët kanë një kërkesë shumë të drejtë, mbi të gjitha: Edi Rama jep dorëheqjen!

Dhe Edi Rama do ta japë dorëheqjen, me hir ose me pahir. Ky ka qenë qëndrimi që unë shpreha, sigurisht edhe në mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve.

Faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco