Media–Proxy: Anestezimi i Debatit Publik

Media–Proxy: Anestezimi i Debatit Publik

09:45, 10/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Andi Mustafaj/

Të flasësh për median në Shqipëri pa u sulmuar është njëlloj si të ecësh mbi vezë pa i thyer: e pamundur. Por të mos flasësh për median kur flet për situatën e vendit është e pandershme ose frikacake.

Për të filluar duhet të qartësohen disa ide të gabuara që janë ngritur mbi iluzione naive. Gazetarët janë njerëz dhe si të tillë, kanë opinionet e tyre politike që ndikojnë drejtpërdrejtë mbi qasjen që kanë në trajtimin e informacionit dhe fakteve. Ata janë nëpunës dhe si të tillë, janë të kushtëzuar nga marrëdhënia që kanë me punëdhënësin e tyre. Kjo në mënyrë që të dilet nga qasje jo realiste e hyjnëzimit të gazetarëve që shohin “të vërtetën” sikur kjo të jetë vetëm një dhe që dalin me shpatën e tyre (mikfrofonin) për të luftuar të gjitha padrejtësitë.

Gjithashtu, mediat kanë një ose disa “pronarë” të cilët nuk i kanë ngritur ato në formën e OJF-ve por të shoqërive fitimprurëse. Si të tilla, disa shohin fitimin në vlerën monetare që marrin prej saj, disa në ndikimin që kanë në opinion publik të cilën e shohin si mision ose si mundësi për të forcuar pushtetin e tyre. Kjo në mënyrë që të dilet nga gjyqi që i bëhet mediave kur shohin interesat e tyre në vend që të shohin “interesin e kombit”. Do ishte më mirë sikur të ndodhte kjo e fundit por është e drejta e tyre që mos ta bëjnë një gjë të tillë, për sa kohë kuptohet zbatojnë ligjin. Por ky është një debat tjetër.

Lufta që i bëhet medias është në këtë drejtim një luftë e gabuar që vetëm sa forcon zjarrin kundër atij që e bën. Si të gjithë hallkat e tjera, ajo duhet kuptuar që të ndryshohet, të përmirësohet dhe jo të asgjësohet. Këtë Edi Rama e ka kuptuar dhe e përdor më së miri. Ai ka përdorur iluzionet dhe hapësirat e sistemit shqiptar të mediave në mënyrë që pak e nga pak të përthyej funksionimin e tyre.

Në një demokraci të shëndetshme, media është tribuna ku pushteti jep llogari dhe qytetari informohet për të vërtetën. Në Shqipërinë e sotme, kjo tribunë është kthyer në një skenë teatri ku aktorët nuk janë politikanët që marrin vendime, por zëdhënës të paemëruar të pushtetit, të maskuar si gazetarë, analistë apo opinionistë.

Prej vitesh, qytetarët nuk shohin më ministra, deputetë apo drejtues të lartë të mazhorancës të përballen në studio televizive me pyetje të drejtpërdrejta për aferat dhe dështimet e tyre. Në vend të tyre, Edi Rama ka ngritur një ushtri “proxy”, figura që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi politike, por që luajnë me zell rolin e avokatit të qeverisë dhe prokurorit të opozitës.

Ky mekanizëm ka një efekt të dyfishtë shkatërrues

Zhvendos përgjegjësinë: një ministër që nuk shfaqet kurrë në debat nuk paguan kosto politike. Sulmin e bën “gazetari” i tij, dhe nëse kritikohet, ai struket pas mburojës: “Jam thjesht një opinionist, po shpreh mendimin tim.”

Kthen debatin në pritë: përfaqësuesi i opozitës gjendet përballë një oponenti që përdor teknikat e propagandës: ndërpret, zhvendos temën, hedh akuza pa prova, mban gjithmonë një ton agresiv. Qëllimi nuk është të fitohet argumenti, por të krijohet përshtypja se opozita është gjithmonë në mbrojtje.

Ky teatër absurd, i luajtur çdo natë në dhjetëra studio, vepron si një injeksion i përditshëm propagande në nënvetëdijen e qytetarëve. Ngadalë, krijohet një realitet paralel ku korrupsioni relativizohet, skandalet harrohen dhe përgjegjësia politike tretet.

Mbingarkesa e kontrolluar e informacionit

Regjimi e ka kuptuar një gjë: nuk mjafton të kontrollosh çfarë thuhet, duhet të kontrollosh edhe ritmin me të cilin përpunohet informacioni.
Në Shqipëri, numri i emisioneve politike është shumëfishuar, por jo për të zgjeruar hapësirën e lirisë së shprehjes, përkundrazi, për ta holluar. Qytetari përballet çdo mbrëmje me dhjetëra orë debati që nuk nxjerr asgjë të re, me figura që qarkullojnë nga një ekran në tjetrin, duke ricikluar të njëjtat fraza, të njëjtat akuza, të njëjtat skema. Rezultati është lodhja, apatia, dhe një ndjesi e përgjithshme se “të gjithë janë njësoj”.

Ky është një anestezim i qëllimshëm i debatit publik: qytetari nuk reagon jo sepse nuk ka arsye, por sepse është i paralizuar nga sasia dhe jo nga mungesa e informacionit.

Rasti i inceneratorëve nxori në dritë diçka që shumë e dinin por pak e thoshin hapur: ekziston një skemë e plotë ndikimi mbi mediat përmes pagesave direkte ndaj gazetarëve dhe pronarëve të tyre. Dokumentet dhe dëshmitë provuan se lajmi nuk është thjesht produkt redaksional, ai është mall me çmim të përcaktuar, që blihet për të ndërtuar narrativën e pushtetit dhe për të zbehur zërin e opozitës.

Në këtë sistem, një pjesë e gazetarëve heshtin nga frika, një pjesë nga varësia ekonomike, një pjesë reziston po aq sa të mundet duke përdorur hapësirat që ka, sa herë i ka. Të tjerë akoma, që mund të donin të ruanin pavarësinë, gjenden në kushte pune që nuk ua lejojnë luksin e përplasjes me rrjetin e fuqishëm të pushtetit dhe biznesit mediatik.

Media–Proxy nuk është thjesht një simptomë e tranzicionit shqiptar, është një instrument i qëllimshëm i autokracisë së butë. Ajo nuk e ndalon fjalën e lirë por e bën të parëndësishme. Nuk e mbyll studion por e mbush me zhurmë. Dhe kur e vërteta humbet në zhurmë, pushteti bëhet i padukshëm dhe, pikërisht për këtë arsye, më i fortë se kurrë.

Tirania e klikimeve dhe shikueshmërisë

Një tjetër element që ka degraduar sistemin mediatik është logjika e klikimeve. Sot, shumë redaksi nuk matin më vlerën e një lajmi nga rëndësia publike e tij, por nga sa shpejt dhe sa shumë klikohet. Në këtë logjikë tregu, vëmendja nuk fitohet nga ai që ka argumentin më të fortë, por nga ai që bën më shumë zhurmë.

Kështu, një grup i vogël figurash, shpesh të ricikluara nga një studio në tjetrën, zënë hapësirën e madhe mediatike jo sepse përfaqësojnë dikë realisht, por sepse prodhojnë batuta, provokime dhe tituj “shpërthyes” që gjenerojnë klikime. Ata bëhen “fytyrat e debatit publik” jo për shkak të peshës së tyre politike apo morale, por sepse kanë kuptuar se si të luajnë lojën e algoritmit dhe të audiencës së momentit.

Rezultati është fatal për demokracinë: mediat transformohen nga forume debati në arenë spektakli. Aty ku dikur vendosej në peshore një ide, sot matet vetëm sa herë është shpërndarë një video. Dhe sa më shumë rritet kjo logjikë, aq më shumë rrëshqet media nga misioni i saj për të informuar, në tundimin për të argëtuar, edhe kur bëhet fjalë për çështje që përcaktojnë fatin e vendit.

Në këtë mjedis, pushteti është i lumtur: nuk i duhet të censurojë median, sepse vetë një pjesë e medias, shpesh ajo më e dëgjueshmja ka zgjedhur të heqë dorë nga misioni i saj. Dhe kështu, “zëri i qytetarit” humbet mes zhurmës së titujve sensacionalë dhe shikueshmërisë së rreme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco