Nga Basir Çollaku/
Zallamahia e thashethemet e ngrefosjes së vjeshtës për qeverinë e re social-kokainiste, ka një turrë të panjohura, të cilat do të shkërmoqen në këtë muaj të parë të vjeshtës.
Kush janë ministrat? Ky, ai, kjo, ajo, këtu atje, pëshpëritjet e kostumet vetëm shtohen. Kazani elektoral i 11 majit 2025, i mbushur me turli aksionesh të zeza, nuk njeh paqe nëse nuk ka ndarje të premtuar nga fituesi i dhunshëm. Pafundësia e akuzave, procedimeve penale, të pretendentëve rilindas, ndonëse të veshur me mandate deputetësh, është një telash i gatshëm të pjellë surpriza. Grupet e trafikut të drogës, investitorë të dorës së parë në zgjedhje, kanë përcjellë ofertat e pakërkuara, të cilat kanë vështirësi deri në pamundësi të refuzohen nga Rama. Kontrata të negociuara me të njëjtin individ ende kryeministër, miratues i investimeve të tyre, me burim paranë kriminale, në hotele, biznese, risorte, tendera publikë. Duke pastruar tonelatat e kokainës së shitur nëpër Evropë dhe botë. Lajmërimi i ankandit të tortëndarjes është bërë me 11 shtator, kur ethet e daljes së raportit përfundimtar, priten me shumë gjasa të jetë më i rënduar se drafti paraprak. Kjo mundet ta shtojë turbullirën e raporteve ndërkombëtare drejt policit të keq, të mazhorancës së përsëritur për herë të katërt rresht.
Po konkretisht ku po shamatohet dallga e pushtetit?!
Duke nisur me Ramën, inceneratorin, Charles Mecgonigal, investimet strategjike, krimet elektorale, Eco parkun, AKSHI, koncensionet, Xibrakën e Olsit, lejet e pafundme të ndërtimeve, pastrimin e parave. Strehët offshore në Qipro e Dubai
Zonja Balluku, ose ndryshe nën emrat e dosjeve, Zonja Aeroport Vlora, zonja tunel Llogara, zonja tigri 2, 3, zonja infrastrukture Thumanë-Kashar, zonja incinerator, zonja tender-energji, licenca panelesh, është ende në kërkim të një stoli qeveritar. Pavarësisht gjeografisë së ministres ku tenton të ngulet. Pritshmëritë janë në dy adresa. Tek shefi dhe Struktura e Posaçme. Kush do ta lajmërojë më pare, më shpejt, më qartë, më me shumë prova, e fakte, për të qëndruar përballë një tryeze. Rrëfimesh apo vendimesh?!
Zoti Balla, apo zoti Çela, Staka, Toyota Yaris, zoti Tims, sky-enchro, Bego, e shumë përmendjeve nëpër dosje të prokurorisë special, ende në pritje thirrjeje. Zoti Gjiknuri, zoti incinerator, tender energjie, guru indian, infrastrukturë unaze, panele diellore, e histori të tjera nëpr dosje të fjetura diku në prokurori. Zoti Mazniku, Klosi, e Peleshi Çuçi, Xhaçka, Spiropali, Ulësiut e Fatmirit, me kallzime në Strukturën e Posaçme, u nuk kanë munguar vizitat e tyre shpjeguese përballë oficerëve të Byrosë së Hetimit e prokurorëve. Veliaj vajtues me gojëhapur nga halli se mos vëllanë e gruan ia bashkojnë në qeli, mund të cicërojë kundër shefit ndonjë të pabërë. Linda Rama, ndër shumë të tjera, mund të jetë edhe zonja AKSHI, ku koordinatori i Durrësit e dy zonja të tjera, drejtoresha të rëndësishme të mbështetura prej grupeve të bregdetit, të grimuara për ministër, rrinë më shumë në parukeri ndoshta gati me dy taksi. Një për qeveri e një për në prokurori. Nuk mungojnë emra të rinj të shtuar si deputetë por me histori të vjetra e të reja hetimi, qofshin bashkiakë, apo me mbështetje grupesh mafioze nëpër qarqe. Ata duan racionet e tyre dhe Ramës i duhet të bëje hesape jo me fatura uji për burgje.
Përpara qelive të ujit, vijnë ato të kokainës, pastrimit të parave, tendera sekretë, koncesioneve, tenderave korruptive nëpër ministri e bashki. Qokat e mëdha ekonomike diplomatëve, me pasuri e prona publike, parcela të majme në bregdet dhuruar sheikëve apo oligarkëve. E kur të sosen këto llogari, të cilat duan vite, nisim edhe me burgosjen për ujin apo gjobat e makinave, e parkimeve dyshe, majdanozin, lulelakrën, koperin, spinaqin, e qepët e shitura pa kriter. Në një reagim kohë më parë, SPAK tha pak fjali se 14 emra të politikës ishin në procedime penale. Natyrisht janë shumë më tepër. Përgjimet e dosjet e ardhura nga Belgjika, Dubai, Londra, Holanda, Franca, Gjermania, Italia, ku janë miliarda para kriminale e pastruar me leje qeverie, kanë numër të lartë zyrtarësh brenda tyre. Dy dosje “Çopja” e “Klajd” kalonin 6 miliard euro, shumë mbi buxhetin vjetor të shtetit, duke kriminalizuar dhe buxhetin. Por depozitat e ujit për të larë tenxheret e kuzhinës e zbrazur galexhanin e banjës, janë gjenocid i madh. Ndërsa këto të mafies jo, janë kusure të “Sinaloa”, Ndranghetës e karteleve të tjera të drogës e grupeve terroriste. Presin ata.
Po në këtë muaj është lajmëruar nga presidenti Trump ligji federal RICO ndaj klanit “Soros” e në Tiranë gjendej selia e Ballkanit, kryesuar nga Rama. Sikur të mos mjaftonte kjo, drejtuesi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar në Departamentin Amerikan të Shtetit me zyrtarë të Byrosë për çështjet evropiane dhe euro-aziatike. Pikëpyetjet janë të shumta. Çfarë ka thënë e çfarë i kanë thënë. Kjo ndodhi jo më shumë se ditën e dytë të vizitës 20 minutash në kryeministri të të ngarkuarës me punë të Ambasadës Amerikane në Shqipëri, zonjës Nancy VanHorn. Kohë diplomatikisht sekëlldisëse për pritësit qeveritarë të heshtur. Rama ulëritës edhe kur kalon me makinë apo këmbësor rrugës së Elbasanit, tani është ende gojëmbyllur. Këtë skedinë të beftë amerikane nuk po e kap dot në kokë as Rama as ortakët e bandave rreth tij..
© SYRI.net