Më shumë se 650 milionë euro borxhe kanë 16 ndërmarrje ujësjellësash në vend, ku rreth 157 milionë euro janë vetëm fatura të papaguara ndaj OSHE për energjinë elektrike. Syri televizion ka zbardhur se ndërmarrjet e ujësjellsave në vendin tonë, janë zhytur në krizë financiare gjatë viteve të fundit, për shkak të abuzimeve dhe keqmenaxhimit nga drejtuesit socialist. Nëpërmjet reformës së prezantuar të mërkurën, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku, po kërkojnë të fshijnë borxhet dhe abuzimet qindra milionë euroshe të krijuara nga ndërmarrjet e ujësjellsave gjatë viteve të fundit.
Syri TV
Teksa Kryeministri Edi Rama, paralajmëroi burgosje të qytetarëve të cilët nuk paguajnë faturat e ujit të pijshëm, duket se qeveria do të amnistojë abuzuesit e vërtetë me ujësjellësat në vend, drejtuesit e tyre. Një ditë pasi Kryeministri Rama dhe zëvendësja e tij Balluku, paralajmëruan se do t`ju heqin bashkive menaxhimin e ujësjellsave, syri televizion zbardh situatën financiare të ujësjellsave në vend.
Të dhënat zyrtare, duke përfshirë Raportin e Performancës të vitit 2023 të Entit Rregullator të Ujit por edhe bilancet kontabël të ndërmarrjeve të ujësjellsave, tregojnë se tre vjet pasi Belinda Balluku mori kontrollin e tyre, ndërmarrjet e ujësjellsave janë zhytur në krizë financiare. Tabela që shihni në ekran, tregon se së paku 16 nga 17 ndërmarrje uësjellësash në vend, kanë një borxh prej 157 milionë euro vetëm ndaj OSHE, për fatura të energjisë elektrike të papaguar.
Referuar bilanceve kontabël, rezulton se Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës, e drejtuar deri pak kohë më parë nga Spartak Kovaçi, ka 56 milionë euro borxhe ndaj OSHE, apo 1 të tretën e të gjithë borxhit që ujësjellsat kanë për energjinë elektrike. Ujësjellësi i Durrësit, rezulton gjithashtu se ka në total 220 milionë euro borxhe dhe detyrime të pashlyera, duke e kthyer këtë ndërmarrje praktikisht në një entitet të falimentuar.
Sikur të mos mjaftonin borxhet ndaj OSHE dhe palëve të treta, ujësjellësi i Durrësit është debitor edhe ndaj bashkive të qarkut. Vetëm për vitin 2023, ndërmarrja e ujësjellësit në Durrës, rezulton se nuk ka shlyer një shumë prej 3.4 milionë eurosh taksash dhe tarifash vendore për llogari të bashkive Durrës dhe Kavajë.
Referuar bilanceve të vitit 2023 dhe 2024, rezulton se të paktën 8 nga 17 ndërmarrje ujësjellës në vendin tonë, kanë në total një borxh prej 650 milionë eurosh ndaj palëve të treta. Pikërisht ky borxh i madh i akumuluar gjatë viteve të fundit, është shkaku i vërtetë që tregon se Kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku po kërkojnë që në emër të reformimit, të fshehin abuzimet dhe zhytjen në krizë të ndërmarrjeve të ujësjellsave.
© SYRI.net