SYRI TV/ Arbër Veliaj rikthehet sërish në SPAK, dorëzon dokumenta, 40 minuta në hetuesi

16:25, 22/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Brenda 24 orësh, Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, është rikthyer në ambientet e SPAK.
Ndryshe nga një ditë më parë, kur deklaroi se ishte paraqitur vullnetarisht për të bashkëpunuar me prokurorët njësoj si i vëllai, që i quajti hetuesit “kolegë” këtë të premte, Arbër Veliaj zgjodhi të mos komentonte për mediat. Ai ka qëndruar rreth 40 minuta në ambientet e prokurorisë dhe ka dorëzuar disa materiale shkresore të kërkuara nga SPAK.

Vëllai i kryebashkiakut të Tiranës u paraqit në SPAK rreth orës 09:20, me një dosje në dorë. Ndonëse një ditë më parë foli shkurtimisht për mediat, këtë herë ai nuk bëri asnjë deklaratë.

Ende nuk dihet se çfarë materiali konkret ka dorëzuar Arbër Veliaj në SPAK, apo cili është roli i tij në hetimin që po zhvillohet. Ai po hetohet në kuadër të një fraksioni të veçuar të dosjes “Veliaj”, në të cilën janë mbyllur hetimet paraprake ndaj Erion Veliajt tashmë i pandehur për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Në këtë dosje përfshihen gjithashtu edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, disa biznesmenë dhe shoqëri tregtare, të akuzuar për vepra të ngjashme penale.

Ndaj Arbër Veliajt janë kryer veprime hetimore, përfshirë kontrolle në banesën dhe biznesin e tij nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Prokuroria i ka sekuestruar edhe telefonin celular për të analizuar komunikimet e tij në lidhje me kompaninë “G SHPK”, të cilën ai e drejton.

Sipas SPAK, janë evidentuar lëvizje financiare mes kësaj shoqërie dhe kunatës së tij, çka ka ngritur dyshime për përfshirje në pastrim parash.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco