Kryeministri Edi Rama nuk ndalet së sulmuari gjyqtarët dhe prokurorët, vendimet e të cilëve nuk i pëlqejnë. Pas sulmeve publike ndaj prokurores Elsa Gjeli dhe gjyqtarit Hazbi Balliu, Rama ka sulmuar sot gjyqtarin Klarent Demiri, sepse ai ka marrë vendime në favor të një qytetari, duke mos lejuar qeverinë t’i shembë lokalin.
Përmes një postimi në Facebook, Rama shpërtheu në sulme dhe akuza ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.
Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjyqtar deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE.
Me tone kërcënuese, kryeministri ka paralajmëruar se do të veprojë ndaj të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve, vendimet e të cilëve nuk i pëlqejnë.
Një gjë është pak po e sigurt: Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut. Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokuroren Gjelin dhe për gjykatësin Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre.
Përballë sulmeve tashmë të përditshme të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, KLGJ dhe KLP heshtin, ndërsa kanë reaguar në çdo rast kur media apo opozita ka zbuluar shkelje të ndonjë gjyqtari apo prokurori të caktuar. Syri TV i është drejtuar me një kërkesë për qëndrim këtyre dy institucioneve, por deri më sot ka marrë si përgjigje vetëm heshtjen.
© SYRI.net