SYRI TV/ Berisha: Shima u rrëmbye, terror shtetëror nga Rama

18:44, 21/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të enjte se ish-zv.drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, është rrëmbyer nga Edi Rama, duke e cilësuar këtë ngjarje si një akt të rëndë kriminal me implikime shtetërore.

Berisha u shpreh se AKSHI është kthyer në një sipërmarrje private të Edi Ramës, ndërsa Shima ndodhet në qendër të një “cikloni interesash mafioze”.

Lidhur me aferat korruptive ku përmenden familjarë dhe bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, kryedemokrati i drejtoi katër pyetje publike Edi Ramës, ndër të cilat kërkoi shpjegime mbi përgjimin dhe fshehjen e aferave të ndodhura në AKSHI.

Në një konferencë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin se qëndron pas zhdukjes misterioze të Daniel Shimës, duke denoncuar faktin se ai është rrëmbyer për shkak të njohurive që zotëron mbi një rrjet interesash mafioze. Ai theksoi gjithashtu se Shima është shkarkuar në mënyrë të menjëhershme dhe pa asnjë motiv nga drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Berisha e përshkroi AKSHI-n si një instrument në shërbim të interesave private të Ramës, ku sipas tij janë përfshirë në afera korruptive jo vetëm bashkëshortja e kryeministrit, por edhe të afërm të tij.

Duke e sfiduar Ramën për një ballafaqim të drejtpërdrejtë me ish-zv.drejtorin e AKSHI-t, Berisha kërkoi që opinioni publik të dijë të vërtetën mbi këtë çështje.

Ai shtoi se edhe Policia e Shtetit është e implikuar, duke manipuluar informacionet në lidhje me zhdukjen e Daniel Shimës, dhe theksoi se ky i fundit është kërcënuar me jetë nëse flet për aferat korruptive brenda këtij institucioni.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco