Zjarret masive gjatë muajit korrik dhe gusht, nxorën zbuluar mungesën e kapaciteteve për mbrojtjen civile të vendit tonë, duke rrëzuar për të disatën herë propagandën e qeverisë.
Teksa zjarri shkrumbi mbi 54 mijë hektarë sipërfaqe në të gjithë vendin, Kryeministri Edi Rama justifikonte mungesën e avionëve zjarrfikës se edhe vendet që i dispononin, po digjeshin më shumë se Shqipëria, duke iu referuar pikërisht Greqisë. Por të dhënat tregojnë se përdorimi i avionëve zjarrfikës nga shteti fqinj, ka bërë që sot Greqia të ketë të paktën 10 mijë hektarë sipërfaqe të djegura më pak se vendi ynë.
SYRI TV
Zjarret gjatë muajit korrik dhe gusht, kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme në vendin tonë, duke vendosur rekorde negative në raport me të gjitha vendet e rajonit. Të dhënat paraprake nga Sistemi Europian i Informacionit nga Zjarret dhe Pyjet, tregojnë se në Shqipëri janë shkrumbuar plot 54 248 hektarë sipërfaqe të mbjella me bimësi, pemë frutore dhe shkurre.
Këto të dhëna janë tregues i katastrofës që përjetoi vendi gjatë muajit gusht dhe korrik të këtij viti, ku strukturat e emergjencave dështuan të përballonin situatën për shkak të mungesës së kapaciteteve përfshi mjetet ajrore të shuarjes së zjarreve. Ndërsa mijëra hektarë tokë, plantacione me pemë dhe shumë fshatra u shkrumbuan nga zjarri, beteja për shuarjen e flakëve fitohej vetëm me ndërhyrjen e avionëve zjarrfikës, që erdhën në Shqipëri nga vendet partnere.
Pikërisht ky efikasitet i avionëve zjarrfikës, nxori zbuluar qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama, që mungesën e blerjes së dy mjeteve të tillë e justifikonte me faktin se edhe vendet që i dispononin, po shkrumboheshin nga flakët. Kryeministri Edi Rama sillte shpesh në vëmendje rastin e Greqisë, që sipas tij, edhe pse kishte 77 avionë zjarrfikës, po digjej për shkak të pozicionit gjeografik të vendit fqinj dhe ndryshimeve klimatike.
Por si qëndron e vërteta? Duke iu referuar të njëjtit burim, Sistemit Europian të Informacionit nga Zjarret dhe Pyjet, rezulton se edhe Greqia ka pasur një verë të vështirë në betejë me flakët. Por ndryshe nga sa pretendonte Kryeministri, të dhënat tregojnë se masat parandaluese të vendit fqinj dhe përdorimi i avionëve në shuarjen e zjarreve, kanë minimizuar dëmet. Sipas EFFIS, në Greqi, nga 1 janari i vitit 2025 e deri në datën 18 gusht, janë djegur 45 mijë hektarë tokë, apo rreth 10 mijë hektarë sipërfaqe më pak se Shqipëria.
Këto të dhëna janë fakt i pakundërshtueshëm, që tregojnë së paku se përdorimi i avionëve dhe helikopterëve zjarrfikës, të cilat i dispononte vendi fqinj, kanë minimizuar dëmet me rreth 10 mijë hektarë pyje e bimësi të djegura më pak se në Shqipëri. Jo vetëm avionët zjarrfikës, por të dhënat zyrtare të Institutit të Bashkive të Shqipërisë, treguan gjithashtu se bashkitë në vend kanë 20% më pak mjete logjistike dhe burime njerëzore të shërbimit zjarrfikës, në raport me parashikimet ligjore. Shifrat e EFFIS tregojnë gjithashtu se, jo vetëm Greqia, por Shqipëria ka pasur dëmet shkatërrimtare ku sipërfaqet e djegura llogariten disa herë më të mëdha se ato në vendet e rajonit.
© SYRI.net