Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 15-të kundër Edi Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Arrestohet në Merdar një i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Arrestohet në Merdar një i dyshuar për krime lufte në Kosovë

18:35, 17/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një person nën dyshimin për krime lufte në Kosovë. 

Arrestimi i të dyshuarit S.S. është bërë në pikën kufitare në Merdar.

Ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullësisë civile në Komunën e Vushtrrisë. 

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje për kombësinë e të ndaluarit.

“Nën dyshimet për krime lufte, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet S.S.  Policia e Kosovës, përkatësisht hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të  Luftës, kanë arrestuar  S.S., në pikën kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë në Merdar, dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Ai dyshohet se gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” në Komunën e Vushtrrisë. Brenda afatit të përcaktuar ligjor, ndaj S.S do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës. 

Më herët gjatë javës, Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-’99.

Në një konferencë për media në Prishtinë, prokurori që ka hetuar rastin, Atdhe Dema, ka thënë se aktakuza është përgatitur pas pesë vjetëve hetime intensive.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në shkurt të vitit 2025, janë ngritur 50 aktakuza në mungesë, kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë është shqiptuar dhjetorin e vitit 2024 në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco