Nga Sonila Meço
Dikur qe njeriu që vendoste çfarë ishte e rëndësishme për publikun, sot këtë rol e ka marrë një figurë e padukshme, algoritmi. Nuk është më njeriu, që bën zgjedhje editoriale mbi bazë të peshës politike, shoqërore apo morale të një ngjarjeje, por një kod matematikor që mat vetëm sa vëmendje tërheq një tekst në sekondat e para të konsumimit.
Dhe prej këtij kodi universal, bota ngjan si një fshat i vogël, ose siç do thosh Fotaqi në “Koncert në vitin ‘36”: “provincë, merr vesht!”
Mjafton një kqyrje e thjeshtë 24 orët e fundit nëpër media sociale se si takimi me rëndësi të jashtëzakonshme Trump–Putin, që ka pasoja për sigurinë ndërkombëtare, për arkitekturën e NATO-s dhe për ekulibrin global të forcës, nga mendje që i çmoj kritike nuk trajtohet si një proces kompleks diplomatik, por spektakël. Postimet nuk analizojnë lëshimet apo mesazhet e fshehura, të atyre orëve kokë më kokë, por pyesin “kush fitoi”, “kush humbi”, kush doli më “alfa”. Pra fuqia përthithëse e spektaklit ia nënshtron edhe mendjet më analitike algoritmit, që shpërblen spektaklin, jo përmbajtjen. Ndërsa “elefanti” ndodhet në paskuinta.
Ja ku mbërritëm të rraskapitur në ekonominë e vëmendjes: lajmi-mall. Sa më shumë klikime, aq më shumë fitime. Dhe si çdo treg mallrash, edhe ky mall duhet të paketohet në formë tërheqëse: dramatike, emocionale, skandaloze, elementare. Redaktori “algoritëm” interesohet veç për të gjeneruar reagim impulsiv.
Trump vetë është produkt i kësaj kulture spektakli, Putini e ka përvetësuar mjeshtërisht teatrin e fuqisë. Por kur bie në grackën e këtij skenari, “redaktori” ndihmon në banalizimin e diplomacisë: marrëdhëniet ndërkombëtare janë thjesht duel egosh, jo negociata që mund të ndryshojnë ekuilibrat e botës.
Takimi mes Donald Trump dhe Vladimir Putin komentohet edhe nga gazetarë të vjetër jo si një akt diplomatik me pasoja afatgjata, por si një show me rregullat e thjeshta të spektaklit. Publiku nuk ftohet të mendojë mbi ekuilibrat strategjikë të sigurisë globale, por të konsumojë një narrativë të gatshme, dy liderë në ring, njëri fiton, tjetri rrëzohet.
Manuali është ky: ekonomia e vëmendjes e shtyn median drejt sipërfaqësisë, platformat e teknologjisë imponojnë algoritmin, liderët populistë ofrojnë skenarin dhe filozofia neoliberale e sheh lajmin si mall, si ndeshje. 1 me 0, apo 1,2,X. Rezistenca e “redaktorëve” cilësorë bie.
Pra është më e lehtë dhe komerciale të tregosh se si Trump “i shmangu shikimin” Putinit, apo se si Putini “ia imponoi tonin”, sesa të shpjegosh peshën reale të marrëveshjeve të mundshme.
Mirëpo luftërat nuk zgjidhen me epërsi komunikimi në rrjet, por me kushte konkrete ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Historia nuk ka shembull tjetër, përveç paqes që vjen nga marrëveshje dhe ekuilibra force, jo nga kthesa metafizike të liderëve autoritarë, apo fitore spektakolare në algoritme. Nëse teknologjia sipas neoliberalëve të lajmit-mall shpreson ta arrijë, ëndrra janë, dro dhe s’dalin.
Por nuk më ngjan thjesht çështje imponimi teknologjik, por e një lloj gazetarie partnere e algoritmit në fabrikimin e iluzionit.
Dhe si për ta kthyer tek “Fotaqi” timonin, në provincën tonë, Rama është pasqyra lokale e fenomenit global: një showman që e di se çfarë kërkon algoritmi. Ai shpërblen batutën që bëhet meme, videon që bëhet virale. Sigurisht Rama mbetet një animator në një provincë të varfër që e shet spektaklin si qeverisje. Por e tejzgjata tegelin nga regjisorët globalë tek animatori provincial, sepse Shqipëria ngjan një laborator ekstrem lokal i kësaj filozofie, ku algoritmi dhe showbiz-i nuk janë vetëm “sponsorizues” të medias, por themeli i mënyrës si perceptohet vetë realiteti politik.
Dallimi është se në Perëndim ky spektakël bashkëjeton me institucione që ruajnë një ekuilibër minimal. Tek ne spektakli nuk është një shtresë mbi politikën, por vetë ajo.
Dhe tek ne sërish “redaktorin” e qan “shefi” i madh, ndërsa mëkati në botën ende demokratike shkon deri tek algoritmi.
© SYRI.net