Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi denoncoi skandalin në spitalin Onkologjik në Tiranë, ku aparati i brakiterapisë në QSUT prej një muaji është sërish jashtë funksionit.
Edhe pse prej më shumë se një viti opozita dhe gazetarët ngrenë zërin për mungesën e ilaçeve dhe mosfunksionimin e aparaturave jetëshpëtuese për pacientët me tumor qeveria nuk merr asnjë masë.
"Kemi të bëjmë me jetë pacientësh të cilët për shkak të mungesës së ilaçeve dhe kurave ka çuar në humbjen e jetës. Nuk dihet sa pacientë kanë humbur jetën apo u është përkeqësuar shëndeti për shkak të mungesës së kurave. Situatën tek Onkologjiku e mbajnë sekret. Kjo ndodh edhe nga stafi i spitalit dhe për këtë ndjej keqardhje" thotë Vokshi në një intervistë për Syri Tv me gazetarin Edvin Parruca.
"Ne jo vetëm e kemi denoncuar mediatikisht por një vit më parë kam bërë denoncim në SPAK. Prej një viti që kam bërë kallëzim çfarë ka ndodhur? Asgjë. Është e njëjta ministre, e i njëjti kryeministër që nuk kanë marrë masa. Sot që ne flasim prej më shumë se një muaji nuk funksionin aparati i braktiterapisë. E ndërsa harxhohen miliona për Giro D’Italia e miliona për samitin e BE-së vetëm për përfitime politike, vazhdojnë të harxhohen miliona euro për koncesionin e check up që në fakt ka përfunduar e nuk duhet të merrte; vijojnë të harxhohen më shumë sesa ishin planifikuar për sterilizimin, ndërkohë nuk merren masa për blerjen e kurave apo aparaturave për pacientët me tumor"
"Nuk ka ndryshuar asgjë. Miliona euro të hedhura për tendera elektorale, asfalt elektoral e punësime elektorale ndërsa nuk merren masa për sigurimin e jetës së pacientëve. Sepse i vetmi prioritet i kryeministrit dhe ministres është mbajtja e karriges së pushtetit. Nuk merret asnjë masë për rritjen e buxhetit. Sa e sa mendime kemi bërë ne si PD për ndryshimin e buxhetit, për anulimin e koncesioneve të panevojshme, abuzive, korruptive."
Ne kemi një keqqeverisje që harxhon miliona euro për propagandë, jo kura e medikamente. Është qeverisje që në vend që të blejë aparaturat mendon për propagandën e show propagandistik. Mendon për tendera elektoralë.
Vokshi shpreh shqetësimin dhe ngre alarmin për faktin se përse nuk ngrihet zëri për mungesën e kësaj aparature, as nga pacientët të cilët u rrezikohet jeta. Ndërkohë mes mjekëve ka patronazhistë të qeverisë, ndërsa mjekët e ndershëm dhe të ndërgjegjshëm kanë frikë të flasin se humbanin vendin e punës.
“Po bëjmë një analizë të detajuar të sistemit të patronazhimit. Ajo çfarë vihet re është se ka shumë patronazhistë në sistemin e shëndetësisë, mjekë, infermierë, shefa shërbimesh e drejtues spitalesh që shkojnë pas ministres për të bërë politikë dhe jo për të marrë masa për pacientët.
Pse nuk ngrenë zërin pacientët?
Mjekët e ndërgjegjshëm e të ndershëm nuk guxojnë ta ngrenë zërin publikisht se mund të humbin vendin e punës.
Terapitë janë të shtrenjta por e gjithë bota u ofron trajtim këtyre pacientëve, pse ne nuk kemi mjaftueshëm buxhet. Vilma e check up fiton prej gjakut të pacientëve” thotë deputetja demokrate.
© SYRI.net