Numri i nxënësve në shkollat e vendit është në rënie të vazhdueshme, i ndikuar nga ulja e lindjeve, emigracioni dhe pasojat e pandemisë COVID-19. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se nga viti 2020 deri në vitin 2025, numri total i nxënësve të regjistruar në të gjitha nivelet arsimore është ulur me rreth 61 mijë, që përbën një tkurrje prej 10%.
Rënia e lindshmërisë poshtë nivelit 1.5 fëmijë për grua, krahasuar me mbi tre fëmijë për grua në vitet ’90, po ndikon drejtpërdrejt në këtë fenomen. Në arsimin parashkollor, numri i fëmijëve të regjistruar është ulur me 8%, nga 71,332 në vitin 2020 në 65,914 në vitin 2025.
Arsimi fillor ka shënuar tkurrjen më të madhe, me një rënie prej 14%, ndërsa cikli i lartë i arsimit bazë ka pësuar një ulje prej 11%. Situata është edhe më problematike në arsimin e mesëm, ku numri i nxënësve ka rënë me 17% në pesë vitet e fundit, duke reflektuar largimin e të rinjve jashtë vendit ose orientimin e tyre të parakohshëm drejt tregut të punës. Edhe arsimi profesional ka pësuar ulje, por në një masë më të vogël, me rreth 11%.
Në arsimin e lartë, numri i studentëve ka mbetur më i qëndrueshëm, duke kaluar nga 123,797 në vitin 2020 në 122,613 në vitin 2025. Megjithatë, rënia e përgjithshme e numrit të nxënësve ka sjellë edhe mbylljen e shkollave, veçanërisht në zonat rurale. Vetëm në periudhën 2012-2022 janë mbyllur 295 shkolla 9-vjeçare në të gjithë vendin, ndërsa që nga viti 2000 janë mbyllur 42% e shkollave 8- dhe 9-vjeçare. Kjo ka nxitur shpërnguljen e mëtejshme të familjeve nga zonat e thella.
Një tjetër problem mbetet mungesa e financimit adekuat për arsimin. Shqipëria shpenzon më pak se 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për këtë sektor, një nivel rreth 40% më të ulët se vendet e zhvilluara dhe 20% më pak se mesatarja e vendeve të rajonit.
© SYRI.net