‘Mbyllja e News24, qeveria kërkon të lërë pa zë qytetarët’/ Hoxhaj: Vjen në një kohë kur vendi po digjet e në prag të raportit të OSBE-ODIHR!

15:25, 12/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Juljan Hoxhaj e cilëson situatën socio-politike në të cilën ndodhet Shqipëria, në një situatë ku ajo çfarë ndodh nuk përbën më lajm për shoqërinë në tërësi, pasi kjo e fundit po tregon një pasivitet, kjo e nxitur edhe nga faktori i shpopullimit dhe largimeve masive.

I ftuar në edicionin e mesditës në Syri Tv, nën moderimin e Bled Markut, Hoxhaj tha se zhvillimet që kanë ndodhur  me Tv News 24 janë dramatike, për një vend si Shqipëria që aspiroj të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Sipas Hoxhajt, media dhe gazetarët që nuk bëjnë kompromise në profesionalizmin e tyre, po goditen nga pushtetit, jo në formën e internimeve në Spaç siç ka ndodhur përgjatë kohës së diktaturës, porse  të kërcënon me mbylljen e fjalës së lirë (media), me vendin e punës dhe duke të bërë presion.

Të gjitha këto mekanizma, gazetari Hoxhaj, thotë se qeveria po i përdor si armë në vitin 2025, dhe e gjithë kjo sa po ndodh ka një prapavijë: justifikimin e asaj që po kalon vendi ynë me zjarret dhe pritjen e raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Jetojmë në një vend ku çdo situatë që ndodh s’përbën më lajm, për shoqërinë në përgjithësi, që për shkak të shpopullimit e largimit është bërë pasive ndaj ngjarjeve që prekin indirekt dhe atë. Zhvillimet ndaj News24 janë dramatike për një vend që pretendon të bëhet anëtar i BE.

Historia na tregon se çdo ditë që ne supozohet të jemi afër BE, me fakte e vepra tregon se jemi shumë larg tij. 3 momente kyçe kur Shqipëria ka qenë pranë BE, hapja e negociatave më 2015-2017, ishte koha e mbylljes së Agon Channel, Ora News, e sot ndodh ajo që po ndodh me News 24. Po ecin në kahe të kundërta zhvillimet e Shqipërisë me atë që po ndodh aktualisht.

Ikin shqiptarët e varfërohen shqiptarët, sot s’kanë më arsye për të qëndruar në vend. Kjo qeveria po tenton t’i lërë pa zë, media është zë për të pamundurit. Media ka qenë pranë tyre sa herë kanë pasur nevojë për to.

Media përbëhet nga gazetarët dhe në media ka njerëz që s’bëjnë kompromis me profesionin e tyre. Është një armë e pushtetit në vitin 2025. Ky pushtet sot s’të internon, s’të çon në Spaç por të mbyll median, të kërcënon, të bën presion, ka gjetur të gjitha mekanizmat që për fasadën ndërkombëtarë është në parametrat e duhur.

Po ndodhin zhvillime të tjera paralelisht, ngjarjet kanë një prapaskenë një ngjarje më të madhe, që është ai raporti i padalë për zgjedhjet nga OSBE-ODIHR. Po ndodhin kur sot Shqipëria është në flakë, janë djegur 4 fshatra në Gramsh, kanë humbur jetën 1 person e 6 në spital.

Qeveria jonë që kërkon të ndërtojë fabrikë armësh pas 35 vitesh, ndodh në një moment kur kjo qeveri në mes të qytetit s’ka sot një avion që shuan zjarret. Po lyp nga ndërkombëtarët, një shtet që Shqipëria harxhon para për qoka elektorale, sot s’ka para për një avion zjarrfikës, po shkatërron ekonominë kombëtare.

Nuk bëjnë më kuriozitet për qytetarët, atë e dinë se ç’ka ndodhur për qytetarët dhe ku kanë shkuar paratë e tyre. Ata kërkojnë që qeveria të bëhet njerëzore. Qeverisë s’i intereson asgjë, as bujqësia, as blegtoria, mbetjet, ndryshe do të merrte masat për të çuar përpara drejtësisë abuzuesit e fondeve të BE.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco