Nga Alba Kepi
Pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian që hodhi poshtë klasifikimin italian të vendeve të sigurta, vijnë edhe vendimet e para që sfidojnë praktikën e qeverisë Meloni.
Gjykata e Romës ka njohur mbrojtjen ndërkombëtare për dy migrantë nga Bangladeshi, të cilët ishin ndër të parët e mbajtur në qendrën e Gjaderit në Shqipëri. Komisioni i azilit, nën drejtimin e qeverisë Meloni, ua kishte refuzuar menjëherë kërkesat duke aplikuar procedurat e përshpejtuara të kufirit, bazuar pikërisht në faktin se Bangladeshi konsiderohej një vend i sigurt.
Por gjykatësit e seksionit të emigracionit të Gjykatës së Romës kanë vendosur ndryshe: Bangladeshi nuk mund të konsiderohet një vend i sigurt, ndaj nuk mund të aplikohen procedurat e përshpejtuara ndaj kërkesave të azilit nga kjo vend. Duke shqyrtuar me kujdes rastet individuale, gjykata ka gjetur se ekzistojnë kushtet për t’u njohur këtyre dy migrantëve mbrojtja ndërkombëtare, sipas procedurave të zakonshme.
Kjo është një tjetër goditje për politikat e qeverisë Meloni në menaxhimin e emigracionit dhe azilit, që ka tentuar të shkurtojë procedurat dhe të transferojë migrantët në vende të treta si Shqipëria, duke u bazuar në një interpretim të diskutueshëm të vendeve të sigurta.
I pari nga dy emigrantët ankimues u njoh si refugjat, bazuar në përkatësinë e tij në një grup të veçantë shoqëror, atë të «viktimave të trafikimit me qëllim punësimin». Ky emigrant, baba i katër vajzave, ishte larguar nga vendi i tij për shkak të kërcënimeve me vdekje nga vëllai i tij dhe mbërriti në Libi, ku punoi pa marrë asnjë pagë dhe më pas u burgos për pesë muaj. Ai u lirua vetëm pasi vajzat e tij paguan shpërblimin duke shitur pronat familjare dhe duke u detyruar të marrin borxhe me interesa të larta nga kreditorë privatë. Gjendja e rënduar e familjes u përkeqësua edhe më shumë nga jetesa në një zonë që përballohej me përmbytje, duke e bërë të pamundur punën në tokë për tre muaj në vit.
«Shprehim kënaqësinë për pranimin e kërkesës, e cila rezultoi shumë larg të qenit e pabazuar, deri në atë pikë sa u njoh përgjegjësia e administratës që u detyrua të paguajë shpenzimet gjyqësore», komentoi në mediat italiane Silvia Calderoni, një nga avokatet e ankimuesve. Gjykata, duke mos qenë dakord me vendimin e Komisionit që nuk kishte pranuar ekzistencën e rrezikut për «dëmtim serioz» në rast kthimi, urdhëroi që administrata të mbulojë shpenzimet e gjyqit, rreth dy mijë euro.
Edhe në rastin e dytë, gjykatësit vlerësuan se borxhet e marra në Bangladesh për financimin e udhëtimit e ekspozonin emigrantin ndaj rrezikut të rikthimit në trafikun e qenieve njerëzore (retrafficking). Për këtë arsye, atij i u dha mbrojtje plotësuese për pesë vjet, duke përmbysur vendimin e Komisionit. Një ankim tjetër që ka të bëjë me një nga dymbëdhjetë migrantët që mbërritën në Gjader pas udhëtimit të parë me anijen “Libra” është ende në proces.
© SYRI.net