Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar për situatën alarmante të zjarreve që po përfshijnë vendin tonë dhe për mungesën e marrjes së masave nga qeveria e Edi Ramës.
Në një postim në Facebook, Vasili thekson se ndërsa dhjetra vatra zjarri shkatërrojnë pasuritë dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve, kryeministri është larguar në plazh dhe vazhdon të konsumojë drekën dhe darkën me sheikë dhe miliarderë si Sorrosi, duke treguar kështu indiferencë totale ndaj krizës që po kalon Shqipëria.
Ai kritikon ashpër qëndrimin e Ramës, duke e cilësuar si një fyerje të rëndë për qytetarët që përballen me fatkeqësinë dhe mungesën e mbështetjes.
Vasili thekson se çdo kryeministër i përgjegjshëm do të ishte pranë qytetarëve në këto momente të vështira, ndërsa Rama qëndron i heshtur dhe i zhytur në luks, duke lënë vendin në flakë dhe njerëzit në mëshirë të fatit.
"Dhjetra vatra zjarri, njëra më e rëndë se tjetra, kanë pushtuar vendin anë e mbanë. Të vetmit që nuk ia ndjen fare për këtë situatë është Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i cili është zhytur në plazh për qejf dhe ha dreka e darka me sheikë dhe Sorros"- thekson Vasili.
Postimi i plotë:
Shqipëria në flakë, kryeministri në plazh e në darka me sheikë e Sorros!
Dhjetra vatra zjarri, njëra më e rëndë se tjetra, kanë pushtuar vendin anë e mbanë.
Të vetmit që nuk ia ndjen fare për këtë situatë është Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i cili është zhytur në plazh për qejf dhe ha dreka e darka me sheikë dhe Sorros.
Çdo kryeministër në botë lë çdo gjë dhe shkon vetë aty ku janë flakët për të drejtuar punët, ndërsa ky Rama asgjë i kërcet, hiç për këtë baderdi.
Asnjë vajtje në terren dhe asnjë fjalë nga Rama, asnjë reagim prej tij, asnjë deklarim apo shprehje preokupimi.
Llafazani i palodhur që flet për uragane dhe flakë nëpër botë për hallet e Shqipërisë nuk ia kërcet fare.
Shihni reagimet në Facebookun e tij.
Një fyerje dhe përbuzje shumë e rëndë për qytetarët e kërcënuar nga zjarret dhe që po u digjen shtëpitë dhe pronat.
Ky Edi Rama që bredh nëpër Shqipëri për të shkarkuar ca drejtorë bashkish dhe bllokon televizionet me orë të tëra, është zhdukur nga media dhe s’flet për zjarret.
Sa herë që Shqipëria ka hall, Edi Rama zhduket.
Pasi halli zbutet e kalon, ky Rama shfaqet, përdridhet përpara mikrofonëve dhe me fraza të përziera flet për suksese imagjinare, megjithëse zjarret kanë bërë kërdinë dhe në momentet e hallit të madh, ky rrinte në plazh me Sorros dhe me sheikë.
Shkurt e thjeshtë: Shqipëria ka kryeministër për të zhvatur miliarda dhe për të bërë tallava fushatash elektorale me “ta hongsha zemrën”, por jo kryeministër që t’u dalë për zot fatkeqësive natyrore me të cilat përballen njerëzit.
© SYRI.net