Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka zhvilluar një protestë para godinës së News24, sinjali i të cilit është fikur që prej tre ditësh, ndërsa ambientet janë pushtuar nga policia dhe ushtria. Gazetarët e këtij televizioni akuzuan qeverinë se qëndron pas këtij akti të paprecedent dhe e cilësuan ndërprerjen e sinjalit si një sulm ndaj lirisë së medias në vend. Protesta e gazetarëve të News24 dhe e Asociacionit të Gazetarëve u transmetua vetëm në ekranin e Syri Televizion.
Në protestë ndodheshin mbi 200 gazetarë dhe punonjës të këtij televizioni, si dhe disa reporterë të mediave të tjera, por protesta u transmetua live vetëm në ekranin e Syri Televizion, çka dëshmon kontrollin e rreptë qeveritar mbi shumicën dërrmuese të televizioneve. Protestës iu bashkuan edhe përfaqësues politikë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë. Gazetarët e këtij televizioni Osman Stafa, Anila Jole, Endri Xhafo dhe Klodiana Lala e cilësuan fikjen e sinjalit të televizionit si një sulm ndaj medias dhe fjalës së lirë.
Protesta u organizua nga Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë, kreu i të cilit, gazetari Isa Myzyraj, fajësoi qeverinë për marrjen e këtij vendimi ekstrem.
Fikja e sinjalit u dënua me forcë edhe nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Protestuesit kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të gazetarëve në ambientet e punës dhe rifillimin e transmetimit të News24, duke dënuar ndërhyrjen arbitrare dhe të dhunshme nga ana e institucioneve shtetërore. Në përfundim të protestës, gazetarët vendosën pankartat që mbanin në duar në portën hyrëse të godinës, tashmë të zaptuar nga policia dhe forca të policisë ushtarake.
© SYRI.net