Lajmi i fundit

LIVE/ Marshimi kilometrik i protestuesve, kërkohet dorëheqjen e Ramës

'Dispozitat e draftit të ri në kundërshtim...', Kullolli: Zhbëhet një pjesë e Kodit Rrugor, parakalimi i gabuar mund të çojë në...

17:03, 03/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Avokati Erjon Kullolli ka diskutuar në edicionin informativ të orës 16:00 në SYRI TV lidhur me propozimet për Kodin e ri Penal, duke shprehur shqetësimin e tij për përmbajtjen e draftit dhe pasojat që mund të sjellë në praktikë.

Ai theksoi se ditët e fundit është diskutuar gjerësisht mbi ndryshimet që parashikohen t’i bëhen kodit aktual, duke i cilësuar ato të diskutueshme dhe të mbingarkuara.

Sipas tij, drafti i ri përfshin dispozita që bien në kontradiktë me njëra-tjetrën dhe që kriminalizojnë sjellje që aktualisht konsiderohen si shkelje administrative ose disiplinore. “Veprime që deri sot ndëshkohen administrativisht, tani po kualifikohen si kundërvajtje apo edhe si krime”, u shpreh Kullolli.

Ai solli si shembull ndryshimet që lidhen me drejtimin e automjetit, ku sipas projektit të ri penal, një parakalim i gabuar ose tejkalimi i shpejtësisë mund të cilësohen si vepra penale që dënohen deri në tre vite burg. “Kodi Rrugor e rregullon mjaft mirë këtë fushë dhe parashikon masa administrative. Nuk ka nevojë për ndërhyrje penale”, tha avokati.

Më tej, Kullolli deklaroi se ky draft i propozuar jo vetëm që krijon konfuzion juridik, por edhe zhben pjesërisht dispozitat ekzistuese të Kodit Rrugor, gjë që sipas tij përbën një hap të gabuar në drejtim të së drejtës penale në Shqipëri.

Kullolli:

Ditët e fundit është diskutuar shumë drafti i paraqitur në lidhje me ndryshimet që mund t’i bëhen kodit aktual penal.
Është i diskutueshëm kodi në lidhje me dispozitat që shtohen në këtë kod, në lidhje me veprimet ose mosveprimet që deri ditën e sotme me legjislacionin në fuqi konsiderohen si shkelje administrative ose shkelje disiplinore dhe me draftin e ri këto veprime ose mosveprime karakterizohen me vepra penale si kundërvajtje dhe krime.

Është një draft, në mendimin tim, i mbingarkuar me dispozita, dispozita që bien realisht në kontradiktë me njëra-tjetrën, por edhe dispozita që janë, në mendimin tim, të tepërta, pasi dispozitat aktuale që janë në kodin aktual shqiptar janë mjaft të mjaftueshme.
Ka dispozita që sjellin një lloj konfuzioni, me akte marrim dispozitën në lidhje me drejtimin e automjetit, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor rregullohet mjaft mirë nga Kodi Rrugor dhe ka masa administrative.
Kurse në lidhje me ndryshimet e reja që propozon ky draft, një shkelje, një shkelje, një parakalim i gabuar, një drejtim automjeti me shpejtësinë jo sipas përcaktimeve në zonën në fjalë përbën vepër penale dhe dënohet deri në 3 vite burg.
Me pak fjalë, ky propozim, ky draft në lidhje me Kodin Penal, zhben një pjesë të Kodit Rrugor aktual, që në vlerësimin tim është krejt e gabuar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco