Pas Bashkimit Europian që ngriti alarmin për ndryshimet e reja të qeverisë në Kodin Penal, edhe prezenca e OSBE në Shqipëri, ka reaguar duke deklaruar se nuk ka qenë pjesë e hartimit të draftit, duke përjashtuar kështu mundësinë që ekspertët e huaj të kenë punuar për ndërhyrjet e reja në Kodin Penal.
Në një reagim për mediat, OSBE thekson se ndryshimet në Kodin Penal kërkojnë një diskutim të gjerë dhe proces konsultimi të plotë.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë. Megjithëse nuk kemi qenë të përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara, po shqyrtojmë draftin e disponueshëm dhe jemi të gatshëm t’u ofrojmë rekomandime konkrete qeverisë dhe parlamentit të ri, në përputhje me mandatin tonë për të mbështetur institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.”
Me herët delegacioni i BE ne Shqipëri, e cilësoi draftin e ekspertëve te qeverisë si shqetësues dhe në kundërshtim me dispozitat dhe standardet e Bashkimit Europian.
Në reagim, Bashkimi Europian thekson se ndryshimet e propozuara mund te kenë ndikim negativ mbi te drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, ndërsa thekson se në kuadër te procesit të anëtarësimit këto shqetësimet do të adresohen.
© SYRI.net