Lajmi i fundit

LIVE/ Marshimi kilometrik i protestuesve, kërkohet dorëheqjen e Ramës

SYRI TV/ Drafti i Kodit Penal u mbajt i fshehtë për dy vite, ekspertët e drejtësisë e përgënjeshtrojnë Ramën

16:35, 02/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kodi i ri Penal, i kundërshtuar nga aktorët e drejtësisë dhe që ka alarmuar edhe Bashkimin Europian, është iniciuar dhe koordinuar nga qeveria. Ndryshe nga sa pretendon kryeministri Edi Rama, ekspertët kanë konfirmuar se e gjithë puna është koordinuar nga qeveria përmes Ministrisë së Drejtësisë.

BIRN raporton sot se puna për draftin e ri ka nisur që gjashtë vite më parë dhe se Kodi i ri Penal është mbajtur i fshehtë, edhe pse puna kishte përfunduar që dy vite më parë.

I përballur me një lumë kritikash nga drejtues të sistemit të drejtësisë, përfaqësues të Dhomës së Avokatisë, juristë dhe organizata të shoqërisë civile, kryeministri Edi Rama tentoi të distancohej nga përgjegjësia e qeverisë për hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, i cili u publikua për konsultim publik një javë më parë.

Por, ndryshe nga sa deklaron kreu i qeverisë, BIRN ka publikuar sot një artikull ku, duke iu referuar ekspertëve të pavarur të përmendur nga Rama, konfirmohet se ky Kod Penal jo vetëm që është kërkuar nga qeveria që shumë vite më parë, por se e gjithë puna është koordinuar nga qeveria e Edi Ramës përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Ekspertët e përfshirë në hartimin e draftit i thanë BIRN se Ministria e Drejtësisë ka pasur rol koordinues dhe kontribuues në mënyrë të drejtpërdrejtë në hartimin e tij, përmes përfaqësuesve të saj në grupin e punës.

Edhe pse drafti iu dorëzua Ministrisë së Drejtësisë në vitin 2023, ai mbeti në sirtar për gati dy vite, derisa u bë publik në një ceremoni pompoze më 25 korrik.

Drafti i Kodit të ri Penal është produkti final i një nisme të iniciuar nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2019, kur ky institucion drejtohej nga ish-ministrja Etilda Gjonaj. Puna për hartimin e tij nisi gjashtë vite më parë nga një grup pune i drejtuar nga Arben Rakipi. Ky grup mori dhe miratimin zyrtar nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2023.

Në një komunikim telefonik, Rakipi i dërgoi BIRN listën e ekspertëve të përfshirë në procesin e hartimit. Ai sqaroi se për hartimin e draftit kishte kontribuar Sekretariati Teknik pranë Ministrisë së Drejtësisë, si dhe magjistrati i komanduar në pozicionin e përgjegjësit të sektorit të së Drejtës Penale në Drejtorinë e Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit, ish-prokurori Bledar Mustafaraj.

Disa prej ekspertëve të grupit të punës, që pranuan të flasin në kushte anonimati, thanë për BIRN se puna nisi me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë në vitin 2019. Ata sqaruan se secili ekspert punoi mbi disa nene që i përkisnin fushës së tij të ekspertizës.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë në grupin e punës kujdeseshin të na informonin dhe të na orientonin lidhur me zbatimin e direktivave të Bashkimit Evropian, të cilat përfaqësojnë mbi 30% të neneve të draftit.

Sipas ekspertëve, nenet u hartuan bazuar në direktivat e Bashkimit Evropian, të përcjella nga përfaqësues të ministrisë që ishin pjesë e grupit. Ekspertët theksuan se drafti përfundoi në vjeshtën e vitit 2023 dhe iu dërgua Ministrisë së Drejtësisë. Disa prej tyre u shprehën të habitur për faktin se ai u mbajt dy vjet në sirtar dhe u publikua vetëm tani.

Publikimi i draftit të ri të Kodit Penal ka shkaktuar debat mes aktorëve të sistemit të drejtësisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco