SYRI TV
Kryeministri Edi Rama është përpjekur të distancojë veten nga Kodi Penal që parashikon dënime me burg më shumë se në kohën e diktaturës. Ndërsa konfirmon se do të çojë para këtë draft, Rama thotë se autor i tij është Arben Rakipi dhe jo Këshilli i Ministrave. Kryeministri konfirmon se drafti nuk është i konsultuar me ekspertët e huaj dhe Bashkimin Europian, por sipas tij, kjo do të ndodhë pasi qeveria do ta kalojë në Kuvend për ta votuar.
Burg për fjalën e lirë, për çdo sjellje të qytetarëve që pushteti subjektivisht mund ta cilësoj të pahijshme apo për çdo shkelje administrative, janë nenet e kodit të ri penal, që u prezantua pak ditë më parë. Por ndërsa janë angazhuar të gjithë aktorët e lidhur me pushtetit, Kryeministri Edi Rama që zotëron sot pushtetin absolut, ja lë përgjegjësinë të tjerëve, duke e nisur nga Arben Rakipi, kreu i shkollës së Magjistraturës. Në një reagim të parë, si kundërpërgjigje ndaj konferencës së disa aktorëve të Shoqërisë civile dhe gazetarëve, Rama u shpreh se ai dhe qeveria janë palë në këtë proces, dhe nuk është ai ideatori.
‘Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëhehjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit. Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit’.
Ndërsa thotë se është thjesht palë në proces, kryeministri Edi Rama nuk nguron as të marrë rolin e organizatorit për diskutimet e draftit.
‘Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush’.
Në fund kryeministri Rama pranon se Kodi i ri Penal nuk është konsultuar as me partnerët ndërkombëtar as me ekspertët e huaj, dhe sipas tij vetëm në fund, qeveria do të konsultojë draftin me Komisionin Europian.
© SYRI.net