Berisha publikon të dhëna të reja nga laptopi i patronazhistëve në Fier: Manipulim i votës së diasporës deri në 93%
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar të dhëna të reja që, sipas tij, dëshmojnë manipulimin masiv të votës së shqiptarëve në diasporë, përmes një rrjeti patronazhistësh të ngritur nga mazhoranca socialiste. Të dhënat janë marrë nga një laptop i përdorur për qëllime patronazhimi në qytetin e Fierit.
Berisha deklaroi se databazat përmbajnë informacione të detajuara personale të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, dhe se përmes këtyre të dhënave është tentuar të manipulohet rezultati elektoral deri në 93%. Sipas tij, drejtorë të institucioneve lokale dhe qendrore janë ngarkuar të kërcënojnë punonjësit me vendin e punës, duke u kërkuar jo vetëm sigurimin e votave të tyre, por edhe të familjarëve të tyre në diasporë, në këmbim të premtimeve për punësim.
“Për farsën elektorale të 11 majit – theksoi Berisha – regjimi diktatorial i Edi Ramës përdori plot 1 miliardë e 24 milionë euro.”
Gjatë një konference për shtyp, lideri i opozitës publikoi dokumente që, sipas tij, lidhen me zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe tregojnë përfshirjen e punonjësve të administratës së Fierit si patronazhistë në procesin e tjetërsimit të votës së diasporës. Ai theksoi se të dhënat e 11 majit tregojnë ndikimin e thellë të këtij rrjeti mbi rezultatin zgjedhor.
Në të njëjtën dalje për mediat, Berisha akuzoi edhe kreun e SPAK, Altin Dumani, duke e cilësuar si “mburojë të bandave kriminale” që, sipas tij, janë përdorur nga qeveria në zgjedhjet e fundit.
© SYRI.net