Partia e Lirisë ngre shqetësimin, lidhur me rënien e turizmit në vendin tonë, ndërsa qeveria sipas saj, mburret me numra dhe spote të një realiteti që nuk ekziston.
Në një deklaratë për mediat nga selia e PL, zëvendëssekretarja e Përgjithshme, Brunilda Haxhiu thotë se qeveria në vend që të ndërtojë një strategji afatgjatë kombëtare për zhvillimin e turizmit, ka zgjedhur rrugën më të lehtë, atë të propagandës.
Në emër të PL, Haxhiu theksoi se sektori i turizmit jo vetëm që nuk ndihmohet nga qeveria, por po goditet çdo ditë.
‘Shqipëria ka nevojë për vizion, për mbështetje reale, për investime në rrugë, ujësjellës, kanalizime, për mbrojtje të mjedisit dhe forcim të ekonomisë vendase’, u shpreh në deklaratën për media zyrtarja e PL.
Deklarata e Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Znj. Brunilda Haxhiu.
Turizmi në Shqipëri është në rënie pikiatë, ndërsa qeveria mburret me numra dhe spote. E ashtuquajtura "mrekullia shqiptare e turizmit" nuk është tjetër veçse një flluskë propagande, e mbushur me iluzione dhe video nga dronët, ndërkohë që në tokë, turistët dhe qytetarët përballen me rrëmujë, kaos, ndotje dhe kolaps shërbimesh.
Në vend që të ndërtohet një strategji afatgjatë kombëtare për zhvillimin e turizmit, me fokus te infrastruktura, mbështetja e prodhimit vendas dhe fuqizimi i biznesit lokal, qeveria shqiptare ka zgjedhur rrugën më të lehtë dhe më mashtruese: propagandën.
Vetëm një vit më parë, në 6-mujorin e parë të vitit 2024, rritja e turistëve u shpall me bujë: 57% më shumë vizitorë të huaj. Tituj bombastikë, intervista të përgatitura, reklama që shpallnin “super-sezonin shqiptar”. Por në vitin 2025, e njëjta periudhë regjistron vetëm 5% rritje. Një rënie drastike që tregon jo vetëm shfryrjen e flluskës por edhe dështimin e plotë të këtij modeli të mbështetur vetëm në marketing dhe jo në përmbajtje.
Sektori i turizmit jo vetëm që nuk ndihmohetnga qeveria, por po goditet çdo ditë. Bizneset e vogla që mbajnë peshën kryesore të turizmit veror, në vend që të mbështeten për të zgjeruar ofertën përtej muajve të nxehtë,të sigurohet furnizimi me ujë dhe drita , po sulmohen me rruspa, dënohen me gjoba selektive, dhe shantazhohen nga inspektorë që vijnë me porosi politike.
Qeveria po godet bizneset familjare në Himarë, Ksamil, Vlorë e Durrës rrëzohen njëra pas tjetrës për t’ia lënë vendin oligarkëve dhe projekteve betonizuese. Kjo nuk është mbështetje për turizmin, është pastrim selektiv i tregut dhe grabitje nën ombrellën e ligjit.
Po të dëgjoje qeverinë, do të besoje se turizmi po ringjall ekonominë kombëtare. Por faktet flasin ndryshe. Importet e ushqimeve janë rritur në mënyrë të qëndrueshme, edhe pse popullsia shqiptare po pakësohet. Kjo do të thotë vetëm një gjë: turistët konsumojnë gjithnjë e më shumë produkte të huaja dhe shumë pak nga ato vendase.
Më shumë se 80% e ushqimeve që konsumohen nga turistët janë të importuara. Fermerët shqiptarë janë të përjashtuar nga zinxhiri i furnizimit, sepse qeveria nuk ka krijuar asnjë mekanizëm të organizuar për ta lidhur bujqësinë me turizmin
Turizmi ne Shqipëri pasuron tregjet e huaja duke lënë bujqësinë shqiptare të falimentojë.
Kudo që të shkelësh në brigjet shqiptare, ka një element që të ndjek: ndotja.
Ujërat detare janë të ndotura me baktere dhe mbetje fekale, në nivele që do të çonin në mbylljen e plazheve në çdo vend të BE-së.
Asnjë kanalizim i ndarë, asnjë sistem trajtimi, asnjë strategji kombëtare për mbrojtjen e vijës bregdetare, vetëm fasada, vetëm reklama
Qeveria e ka shndërruar bregdetin në një shtrat ndotjeje, ku çdo verë ofrohet si “parajsë turistike” por në realitet është një rrezik shëndetësor për turistët.
Shqipëria ka nevojë për vizion, për mbështetje reale, për investime në rrugë, ujësjellës, kanalizime, për mbrojtje të mjedisit dhe forcim të ekonomisë vendase.
Mbështetja e vërtetë për ekonominë shqiptare është te fermeri që prodhon domaten, te punëtori i hotelit që jeton me një rrogë sezonale, te familja që ka ndërtuar një bujtinë në fshat.
Propaganda e qeverise mbi bumin turistik e ka cjerre masken e saj. Dhe bashkë me të, po zbehet edhe një shans i madh që kishte Shqipëria për zhvillim të qëndrueshëm turistik.
Faleminderit!
© SYRI.net