‘Kamarier Ronin e qëlloi Rama’

‘Kamarier Ronin e qëlloi Rama’

12:41, 28/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Basir Çollaku/

Ngjarja në Vlorë ku një polic në dehje të pushtetit dhe makutërisë, nën shoqëri të dyshimtë, qëlloi një të ri kamarier ka marrë vëmendje publike përtej Thethit ku tritoli shkoi për inspektim ligjor. Episodi në lokal nuk mund të ndalojë aty pa dalë në mejdanin e opinionit. Sigurisht atë uniformë këto vite, hidhësisht kush nuk e vesh, e kush nuk e bën përshesh.

Njerëzit u revoltuan. Me të drejtë. Po natyrisht online. Si shpesh herë ndaj padrejtësive, gjatësia e tij kryeministër urdhëroi. Të përjashtohet menjëherë e përgjithnjë nga policia. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore hesht. Drejtori Proda lajmëron pezullim. Megjithë gomarllëkun e tij, oficeri meriton një proces ligjor të rregullt të mbajtjes së përgjegjësisë. Por këtu rikthehet shpullaxhiu Rama. Ai vendos. Të ikë. Njëlloj siç thotë për prokurorë e gjyqtarë. Njëlloj siç KLP nuk kishte bythë të shqyrtonte kërkesën e prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, për të reaguar ndaj dhunës publike të Ramës. E hoqën nga agjenda në dy mbledhje. Këta të pavarurit me demek. Natyrisht shefat në polici për fat jo të mirë, shumica emërohen nga partia, ose grupet që më pas i përdorin.

Po saktësisht kush qëlloi mbi Ronin, djalin kamarier?! Nuk e bëri gjestin as rastësia as vapa.

Askush tjetër vetëm se Edi Rama është goditësi. Mos dyshoni as habiteni.

Organizata e Policisë nga 2013-është mbushur me mëkate. A ka të inkriminuar në Polici? A janë një pjesë e tyre drejtues?

A kishim dy ministra të brendshëm me histori personale dhe familjare në trafikun ndërkombëtar të drogës? Njëri i dënuar dhe tjetri nga detyra i larguar!

A janë denoncuar rreth 200 oficerë policie nga Shërbimi informativ në Prokurori për lidhje me grupet kriminale?!

A kemi drejtues operacionaleje të dënuar si i lidhur me trafikun e drogës me pasuri të sekuestruar miliona euro?!

A kërkuan ndërkombëtarët të mos emërohej Ilir Proda, drejtor i përgjithshëm se kishte materiale komprometuese?!

A u largua ish-drejtori përgjithshëm Ard Veliu të cilin Rama thoshte nuk e heq edhe po ma kërkuan 500 mijë vetë me dyshime dosjesh ende të pazbardhura?! Përfshirë edhe vettingun e tij ku dalin probleme serioze.!

A është sekuestruar nga Struktura e Posaçme telefoni i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ende nuk kemi një rezultat fundor të hetimit?!

A ka deklaruar Altin Dumani kryeprokurori i SPAK në një seancë raportimi në Kuvend, se në dosjet sky-enchro gjejmë një numër të konsiderueshëm oficerësh policie të rangjeve të larta, të përfshirë në hetimet për krimin e organizuar?!

Madje janë ende të patrazuar nga hetimi!

A ka raste jo të pakta kur "të fortë" lejuar nga kjo polici-pushtet dhunojnë policinë?! Po ka jo pak. Mbivendosja KM mbi çdo institucion është fakt real. Shikoni ndryshimet në Kodin Penal. Është një lavazh dhe thertore për hallet e Ramës në pritshmëritë e përballjes. Ndaj dhe në Vlorë, goditja ishte e Ramës, dora ishte e policit fryma ishte e Ramës. Por do të jemi siç po ndodh shpesh, pranë e mes ngjarjeve ku reagimi në rrjete sociale nuk mjafton!! 11 maji ishte një nga varret e demokracisë hapur nga KM. Shqiptarët thjesht ngushëllojnë online dhe presin çlirimin nga "imperializmi" anglo-amerikan...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco