Në mbledhjen e fundit para nisjes së pushimeve verore, Këshilli Bashkiak i Sarandës ka vendosur të marrë në shqyrtim një projekt-vendim kontravers, nëpërmjet të cilit synohet të jepet një sipërfaqe 60 hektarë për park fotovoltaik në zonën e Nivicës, pranë Kakomesë.
Bashkia e Sarandës ka njoftuar se në mbledhjen e datës 30 Korrik 2025 janë në rend dite 10 pika, njëra prej të cilave është “Projekt-vendimi për miratimin në parim të dhënies me qira, me konkurrim, të një sipërfaqeje prej 60 ha,pjesë e pasurisë me nr.8 dhe nr.15 zona kadastrale 2806 për zhvillim aktiviteti prodhim energjie nga burime të rinovueshme, nëpërmjet paneleve fotovoltaike”.
Kjo është hera e dytë që Bashkia e Sarandës e merr në shqyrtim këtë çështje. Në shkurt 2024, Këshilli Bashkiak i qytetit dështoi të miratonte këtë vendim, pas reagimit të ashpër të qytetarëve në Nivicës. Banorët e zonës deklarojnë se toka është e tyre ndër breza dhe ata e përdorin për kullota dhe ekonomitë e tyre familjare. Rrëmbimi i pronave do të shkatërronte jetesën e tyre dhe të ardhurat e tyre.
Dy dëgjesa publike të zhvilluara më herët nga Këshilli Bashkiak me banorët e Nivicës për projektin fotovoltaik janë shoqëruar me debate të ashpra. Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e hapësirës që pretendohet nga Bashkia e Sarandës si pronë e saj dhe që është e destinuar për park fotovoltaik, në fakt është ndaluar të tjetërsohet me vendim gjykate që prej vitit 2018, bazuar në kërkesën e një familjeje të zonës, e cila zotëron dokumenta të vjetër pronësore.
Përplasja me banorët e Nivicës detyroi këshilltarët socialistë të Bashkisë së Sarandës që të bënin hapa pas dhe të mos e miratonin në vitin 2024 propozimin e bashkisë për dhënien me qira të sipërfaqes prej 60 hektarësh.
Por, tashmë që e gjithë vëmendja e opinionit publik lokal është e përqendruar tek sezoni veror dhe situata me zjarret, Këshilli Bashkiak ka vendosur ta ri-sjellë për miratim propozimin që krijon shumë përplasje dhe konflikte me banorët e zonës. Pak ditë më parë, një situatë e ngjashme u shfaq në Këshillin Bashkiak të Vlorës, ku ishte paraqitur për miratim dhënia me qira për park fotovoltaik të një sipërfaqeje prej 830 hektarësh në zonën e Kaninës. Reagimi i ashpër i banorëve detyroi Këshillin Bashkiak që të shmangte votimin, duke dhënë një argument zyrtar jo shumë bindës për arsyet e anulimit të shqyrtimit të asaj pike të rendit të ditës.
© SYRI.net