Marrëdhënia e ngushtë mes arkitektin italian Stefano Boerit, i përfshirë nën hetim për afera në urbanizimin e të Milanos, dhe Kryeministrit shqiptar Edi Rama, ka kryesuar titujt në mediat italiane.
Me titullin ‘Grataçela bosh dhe beton – modeli i Tiranës sipas Stefano Boerit', e përditshmja ‘Il Fatto Quotidiano’, ka përcjellë reportazhin mbi transformin e Tiranës sipas modelit të arkitektit italian Stefano Boeri.
Në reportazh, gazetarja italiane Virginia Della Sala, dërguar në Tiranë, hedh dritë mbi një model urbanistik që po transformon kryeqytetin shqiptar në një labirint betonësh, larg premtimeve për një qytet të gjelbër dhe të qëndrueshëm.
Gazetarja e Il Fatto Quotidiano nënvizon mungesën e reagimit institucional dhe qytetar mbi këtë çështje. Reportazhi paraqet një panoramë të gjerë mbi situatën e projektit ‘Tirana Riverside’ që është menduar për të strehuar 4500 familje të pastreha nga tërmeti i vitit 2019, si dhe për t’u përballur me sfidat e pas-COVID-it.
Një nga pikat kyçe në reportazh lidhet me natyrën e partneritetit publik-privat. Stefano Boeri, në vitin 2016 kishte fituar garën për Planin Rregullues të qytetit të quajtur ‘Tirana 2030’.
“Marrëdhënia mes arkitektit Boeri dhe kryeministrit Edi Rama është e hershme. Rama shpalli si projektin, ashtu edhe faktin që kishte angazhuar arkitektët më të mirë në botë, përmes të cilëve sponsorizon investimet e mëdha imobiliare në qytet”-vazhdon më tej artikulli.
Megjithatë, simboli i punës së Boerit është pikërisht ‘Vertical Forest’, pylli vertikal, vëllai i atij milanez , me një tjetër që ndodhet në Kinë. Në një reagim për gazetën Il Fatto Quottidiano, Studio Boeri deklaron se ka marrë miratimin nga autoritetet shtetërore.
“Hartimi i një plani urbanistik nuk përjashton mundësinë e pjesëmarrjes, nëse pas miratimit të tij nga autoritetet kompetente, në gara publike ose marrjes së detyrave private në të njëjtin qytet ku është hartuar Plani”, shpjegon studioja Boeri, ashtu siç thekson se “është qeveria qendrore shqiptare ajo që vlerëson, miraton dhe udhëzon projektet”.
Në reportazh gazetarja përmend edhe projektin ‘Kubi i Bllokut’ pranë ish-shtëpisë së diktatorit Enver Hoxha duke vënë në dukje se ndërkohë që në Itali nuk do të ishte e mundur të ndërtohej në këtë mënyrë në qendër të qytetit.
Reportazhi i 'Il Fatto Quotidiano' sjell një pasqyrë të thellë kritike, të një zhvillimi urban që, në emër të modernizimit dhe zhvillimit, rrezikon të zhdukë jo vetëm hapësira publike dhe gjelbërimin por edhe vetë identitetin dhe kujtesën historike të Tiranës.
© SYRI.net