SYRI TV/ Rama 'show' me fatkeqësinë natyrore, zjarrëfikësit fikin flakët me shkurre

13:31, 27/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kur vendi po përballet me një fatkeqësi natyrore, si pasojë e zjarreve për shkak të temperaturave të larta, kryeministri Edi Rama ka vijuar të bëjë shfaqje propagande në rrjetet sociale. Megjithëse zjarrfikësit po fikin zjarret me mjete rrethanore, kryeministri publikoi disa foto, duke pretenduar se forcat zjarrfikëse janë të pajisura me mjetet e duhura. Nga ana tjetër, kreu i PD, Sali Berisha akuzoi qeverinë se po bën pushime, ndërsa vendi është në flakë.

Ndërsa Shqipëria po përballet me flakët e zjarreve në zona të ndryshme të vendit për shkak të temperaturave të larta, në vend të angazhimit maksimal të strukturave përballë kësaj situate të pritshme, në muajt e verës, kryeministri Edi Rama po e përdor këtë fatkeqësi natyrore për të shoë mediatik. Mëngjesin e kësaj të dielë, pas zjarreve masive, Rama publikoi në rrjetet sociale, foto të forcave zjarrfikëse të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme për të shuar flakët. Por ndryshe nga sa pretendon kryeministri, situata në realitet duket ndryshe, pasi forcat zjarrfikëse përballen me mungesa të theksuara mjetesh dhe në jo pak raste, kanë përdorur mjetet rrethanore për të shuar flakët.


Në këtë situatë që vijon prej javësh në vend, nga qeveria ka pasur edhe deklarata skandaloze. Ministri i linjës, Pirro Vengu, në një deklaratë të dhënë, pranë fshatit Kaninë, ku u dogjën mijëra hektarë, i cilësoi si sensacionale, pamjet tragjike.
Për situatën dramatike reagoi edhe lideri i opozitës, Sali Berisha. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se megjithëse Kanina është në flakë, pa asnjë ndihmë, qeveria vijon pushimet, ndërsa sjell në vëmendje edhe satelitët për të cilët qeveria harxhoi miliona euro, në një kohë kur shteti nuk ka mjete për të fikur zjarret.
 

“Kanina në flakë pa asnjë ndihmë, narko-qeveria në vakanca! Ramaduro numëron yjet me satelitët,” u shpreh lideri i Partisë Demokratike.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco