Kodi penal i turpit! 7 Vite punë për të fshirë fëmijët nga drejtësia

Kodi penal i turpit! 7 Vite punë për të fshirë fëmijët nga drejtësia

22:44, 26/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga avokat Arben Llangozi

Shtatë vite punë akademike, qindra orë diskutimesh, tryezash, ekspertizash kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe në fund: një Kod Penal që lë pas dore pikërisht ata që kanë më shumë nevojë për mbrojtje, fëmijët.

Drafti i ri i Kodit Penal, që na shitet si reformë madhore në sistemin e drejtësisë penale, është në të vërtetë një zhgënjim i thellë moral dhe institucional. Jo për shkak të vëllimit të tij. Jo për shkak të stilistikës ligjore. Por për një arsye shumë më të thjeshtë e më dramatike: ky Kod nuk mbron fëmijët.

Nëse një fëmijë dhunohet në rrugë, në shkollë, në lagje, në një familje të çrregullt, Kodi nuk ofron asgjë konkrete për të. Jo një mburojë të posaçme, jo një procedurë të përshpejtuar, jo një ndjeshmëri ligjore ndaj moshës së tij. Ai fëmijë duhet të sillet si i rritur, të padisë si i rritur, të dëshmojë si i rritur, ose të heshtë si viktimë e zakonshme në një shtet që nuk sheh.

Ky nuk është një harresë teknike. Është një neglizhencë e qëllimshme. Një akt institucional i ftohtë, i llogaritur, që e sheh fëmijën si një problem anësor të drejtësisë penale. Dhe ky është një turp kombëtar.

Në vend të mbrojtjes së të miturve, kemi nene të zgjatura që ndëshkojnë gjithçka tjetër: nga fjalët në publik deri te qëndrimet “provokative” ndaj rendit moral. Kodi i ri penal është një katalog ndëshkimesh, jo një mburojë shoqërore.

Ai vjen me një frymë kontrolluese, e ngurtë, represive. Dhe më e keqja është se ndërkohë që i përkushtohet detajeve të sjelljes së një të rrituri, nuk thotë asgjë për dhunën ndaj fëmijëve.

Kjo “reformë” është një operacion kozmetik mbi një trup të sëmurë. Hartuar në zyrat sterile të universiteteve apo të ministrive, pa ndjeshmëri, pa kontakt me realitetin. Pa një vizion për të ardhmen. Sepse, le ta themi troç: një shtet që nuk mbron fëmijët, nuk ka të ardhme.

Çfarë reforme është kjo që nuk njeh as bullizmin si vepër penale ndaj të miturve? Çfarë kodi është ky që nuk parashikon asnjë mekanizëm për mbrojtje të menjëhershme kur një fëmijë është viktimë e dhunës psikologjike apo fizike? Në ç’logjikë ligjore mund të mbështetet një projekt që lejon që fëmijët të përballen me dhunën pa asnjë mbështetje institucionale?

Na thonë se ky është një Kod me standarde evropiane. Por Europa nuk është vetëm burgje dhe dënime. Europa është mbrojtje sociale. Europa është mekanizma reagimi. Europa është barazi përpara ligjit, por edhe ndjeshmëri ndaj moshës, gjinisë dhe situatës sociale.

Fëmijët janë ata që nuk mund të luftojnë vetë. Dhe kur shteti nuk i mbron, ai bëhet bashkëfajtor në dhunën që ndodh mbi ta. Këtë nuk mund ta fshehë asnjë frazë juridike, asnjë konferencë shtypi, asnjë raport donatori.

Ky Kod Penal, ashtu siç është, duhet të rikthehet në tryezë. Sepse nuk mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë duke e nisur nga padrejtësia më e rëndë, heshtja përballë dhunës ndaj një fëmije.

Nëse një Kod nuk fillon me mbrojtjen e më të dobëtit, atëherë ai është thjesht një vegël pushteti, jo një instrument drejtësie. Dhe nëse ky është produkti i 7 viteve punë akademike, atëherë dikush duhet të kërkojë falje. Jo për përmbajtjen teknike, por për mungesën e ndërgjegjes njerëzore.

Ky Kod është një tregues i qartë se si mund të kriminalizohet jeta e shoqërisë, duke e mbushur me ndëshkime dhe interpretime të dyshimta, ndërkohë që nuk ka aspak si qëllim të mbrojë njerëzit dhe veçanërisht më të pambrojturit në të, si fëmijët, që mbeten krejtësisht të braktisur.

Kodi Penal duhet të jetë një instrument i qartë dhe i prerë, që nuk lë hapësirë për interpretime të paqarta apo subjektive, sepse ligji duhet të garantojë siguri juridike dhe drejtësi të pandërprerë për shoqërinë.

Ai nuk duhet të jetë një mjet për të kriminalizuar jetën normale të qytetarëve, por një mburojë që mbron të drejtën, rendin dhe sigurinë kolektive, duke u fokusuar në parandalimin dhe ndëshkimin e vërtetë të veprave penale, veçanërisht atyre që rrezikojnë më shumë pjesëtarët e shoqërisë, si fëmijët dhe grupet vulnerabël.

Një Kod Penal i mirë hartuar duhet të mbrojë të dobëtit dhe të garantojë që ligji të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, duke shmangur çdo keqpërdorim apo interpretim që mund të shndërrojë qytetarët në viktima të një sistemi arbitrar, dhe duke siguruar që drejtësia të jetë në shërbim të të gjithë komunitetit dhe jo i ndonjë kaste apo pushteti.

Kodi penal i tyre është aq i vjetruar, aq jashtë realitetit shoqëror, sa edhe vetë hartuesit që e kanë shkruar, të ngujuar në mendësinë e kontrollit, frikës dhe shantazhit, në vend që të ofrojnë një sistem që mbron të drejtën, qytetarin dhe shoqërinë. Në vend të një kodi modern që parandalon krimin dhe forcon shtetin e së drejtës, ata kanë prodhuar një manual për ndëshkimin arbitrar, ku gjithçka interpretohet sipas humorit të radhës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco