SYRI TV/ Propozimi i Rakipit, 200 të dënuar përjetë drejt lirisë?

14:15, 26/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rreth 200 persona të dënuar me burgim të përjetshëm mund të përfitojnë lirim me kusht, sipas draftit të Kodit të ri Penal të prezantuar nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.

Gjatë prezantimit, Rakipi nuk specifikoi kriteret mbi bazën e të cilave një i dënuar me burgim të përjetshëm mund të kërkojë lirimin me kusht. Ndërkohë, sipas ndryshimeve të propozuara prej tij, mund të shuhet si dënim penal me heqje lirie edhe shpërdorimi i detyrës nga funksionarët publikë.

Kjo deklaratë e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, pasi sipas tij, në Kodin e ri Penal të dënuarve me burgim të përjetshëm u lind e drejta e lirimit me kusht.

Aktualisht, në vendin tonë ndodhen rreth 200 persona që vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm. Shifra është publikuar nga Faktoje.al, bazuar në të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sipas këtyre informacioneve, nga 200 të dënuarit me burgim të përjetshëm, 114 ndodhen në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Bëhet fjalë për emra të njohur të botës së krimit dhe anëtarë të bandave të konsideruara kriminale nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën e Strasburgut. Edhe gjatë prezantimit të draftit të Kodit të ri Penal, Arben Rakipi i cili drejton ekipin e ekspertëve që kanë punuar mbi këtë material nuk dha detaje për kriteret që do të përdoren për të lejuar lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm.

Ndër ndryshimet që bien në sy në këtë draft është edhe përpjekja për të lehtësuar ndëshkimin për shpërdorimin e detyrës nga funksionarët publikë. Ky propozim vjen në një kohë kur një numër i madh zyrtarësh të lartë të Partisë Socialiste ndodhen nën hetim nga SPAK, të akuzuar pikërisht për këtë vepër penale.

Kodi i ri Penal mund t’u vijë në ndihmë atyre për të shmangur dënimet me burgim. Sipas ekspertëve, neni që i referohet shpërdorimit të detyrës ndodhet në kufirin e kundërvajtjes penale. Nëse pranohet ndryshimi i propozuar nga Rakipi, kjo vepër mund të mos konsiderohet më si vepër penale me dënim me heqje lirie.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco