'U shpërfillën faktet'/ Logu: KAS dhe Kolegji Zgjedhor tërësisht nën kontrollin politik të Edi Ramës

15:35, 24/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmëri dhe përsëritje zgjedhjesh në qarkun e Elbasanit, duke i hapur rrugë konfirmimit të rezultatit të kontestuar nga opozita. Partia Demokratike kishte denoncuar në mënyrë të përsëritur me prova konkrete mbushjen e kutive të votimit në këtë qark, si dhe praktika të dyshimta, përfshirë të ashtuquajturin “Treni Bullgar”.

Në vendimin e tij, Kolegji vendosi të shpërfillë provat e paraqitura nga opozita, të cilat sipas PD-së përbëjnë dëshmi të qarta për abuzime të rënda që e kanë kthyer Elbasanin në simbol të farsës elektorale.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, në një intervistë për edicionin e mesditës në Syri TV, akuzoi Kolegjin për mungesë vullneti për të kryer një hetim të thelluar dhe gjithanshëm për të gjitha shkeljet e pretenduara.

Logu deklaroi se PD nuk kishte dorëzuar vetëm pretendime të zbrazëta, por edhe dokumenta, prova dhe fakte që, sipas tij, tregonin se procesi zgjedhor i 11 majit ishte i shoqëruar me shkelje të rënda që cenonin integritetin e votës. Ai e cilësoi shqyrtimin e Kolegjit si sipërfaqësor dhe vendimin për të lënë në fuqi rezultatet si tërësisht të padrejtë.

Pavarësisht vendimmarrjes së Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), të cilin PD e konsideron të kontrolluar politikisht nga Edi Rama, dhe vendimit të Kolegjit Zgjedhor, Logu u shpreh se faktet mbeten kokëforta.

Ai shtoi se këto fakte nuk janë denoncuar vetëm nga Partia Demokratike, por janë të dukshme për opinionin publik dhe janë pasqyruar gjerësisht edhe në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE–ODIHR-it.

Sipas tij, refuzimi i Kolegjit për t’u thelluar në hetimin e këtyre shkeljeve tregon mungesë dëshire dhe vullneti institucional për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të rregullt.

Logu: 

Është për të ardhur keq që edhe Kolegji Zgjedhor, ashtu si Komisioni i Ankimimeve edhe Sanksioneve, vendosi që mos të bëjë një hetim të plotë, të gjithanshëm dhe të thelluar të të gjitha pretendimeve që ne kemi pasur, për të cilat sigurisht nuk kanë qenë vetëm pretendime, por i kemi shoqëruar edhe me dokumenta, prova dhe fakte, të cilat në fakt tregonin se procesi zgjedhor i 11 majit u shoqërua me shkelje shumë të rënda që e cenuan integritetin e këtij procesi, por bëri vetëm një vlerësim apo një shqyrtim shumë sipërfaqësor dhe si përfundim vendosi të lërë në fuqi ato vendimmarrje të cilat sipas mendimit tonë janë tërësisht të padrejta, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pavarësisht vendimmarrjes së KAS, i cili është një organ tërësisht nën kontrollin politik të Edi Ramës, apo vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor, të cilët fatkeqësisht edhe pse janë një trupë zgjedhore dhe supozohet të jenë tërësisht të pavarur dhe të paanshëm ndaj çdo lloj ndikimi politik, nuk ishin të tilla, faktet mbeten kokëforta.

Fakte në fakt që nuk i ka denoncuar vetëm Partia Demokratike, por janë sot në sytë e të gjithë opinionit publik dhe mbi të gjitha janë fakte që kanë gjetur pasqyrim gjerësisht në raportin paraprak të vëzhguesve të OSBE–ODIHR-it.
Ne ia paraqitëm Kolegjit Zgjedhor faktet, por pamë një mungesë vullneti dhe një mungesë dëshire për t’u thelluar dhe për të hetuar në thellësi të gjitha këto shkelje që kanë shoqëruar procesin zgjedhor të 11 majit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco