‘Trashëgimi apo piceri...’ Pse të jepen me qira e kalatë e Lëkurësit dhe Rozafës?

‘Trashëgimi apo piceri...’ Pse të jepen me qira e kalatë e Lëkurësit dhe Rozafës?

20:23, 23/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Vendimi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të dhënë me qira 20-vjeçare ambiente shërbimi brenda Kalasë së Lëkurësit në Sarandë dhe Kalasë së Rozafës në Shkodër është komentuar me shqetësim nga shoqëria civile, e cila e sheh këtë lëvizje si një tjetër akt të zhbërjes së rolit historik e simbolik të këtyre monumenteve.

Ministria e drejtuar nga Blendi Gonxhja sqaron se procedura e dhënies së pasurisë kulturore në përdorim privat bën pjesë në procesin e ‘rijetëzimit’, sipas ligjit për trashëgiminë kulturore. Në rastin konkret, bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 862 m² në Kalanë e Lëkurësit dhe 196.2 m² në oborrin e tretë të Kalasë së Rozafës.

Por për Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ky nuk është rijetëzim, por zhbërje me qira e identitetit historik, në emër të fitimit.

‘Kalaja e Lëkurësit, e ndërtuar nga Sulltan Sulejmani mbi rrënojat e një kishe bizantine, është shndërruar në një seri restorantesh, picerisht dhe kafenesh, duke i hequr çdo vlerë kulturore’ shkruhet në një status të forumit në Facebook.

Forumi sjell në kujtesë se kontrata e mëparshme me subjektin privat ka përfunduar dhe se objekti duhet t’i rikthehet publikut, jo t’i riciklohet privatit me një formë tjetër koncesioni të kamufluar si ‘rijetëzim’.

Ata e përshkruajnë këtë proces si një ‘shaka të radhës’ nga z. Gonxhja’, duke u shprehur me ironi: ‘Z. Gonxhe harron se ka përgjegjësi ligjore dhe morale të mbrojë trashëgiminë tonë kulturore dhe jo të promovojë menunë e picave.’

Përmes një deklarate me tone të forta, Forumi ngre pyetjen themelore se përse shteti është i paaftë të administrojë një kala historike vetë dhe se çfarë studimi është bërë për të përcaktuar që dhënia me qira është forma më e mirë në dobi të publikut.

Sipas organizatës, koncepti i rijetëzimit është deformuar qëllimisht: në vend që të nënkuptojë aktivizim kulturor, edukim, ekspozim të trashëgimisë, ai po përkthehet në përfitim komercial, ku prioritet nuk është historia por konsumi.

Më poshtë është statusi i plotë i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore:

Shakaja e radhes e z.Gonxhja; Kalaja e lekursit Piceri apo Trashëgimi Kulturore?

Kalaja e Lëkursit e dhënë me qera nga ministri i Kulturës Edi Rama ishte përcaktuar te kthehej ne një pike kulturore ne shërbim te trashëgimisë se zonës. Pas 25 vitesh kjo kala është simboli i përdhosjes se trashëgimisë ku vetëm vlera kulturore nuk ka me.

E ndërtuar nga sulltan Sulejmani mbi rrënojat e një kishe Bizantine është shndërruar ne një seri restorantesh picerisht dhe kafenesh duke i hequr çdo vlere kulturore. Kontrata me privatin ka mbaruar dhe ndërkohe kjo kala i duhet kthyer publikut. Ndryshe shprehet z. Gonxhja, i cili shprehet se ne dobi te publikut kjo kala duhet te vazhdoje pjekjen e picave dhe tallavase.

Z.Gonxhe harron se ka përgjegjësi ligjore dhe morale te mbroje trashëgiminë tone kulturore dhe jo te promovoje menune e picave. A mund t’ju shpjegohet shqiptareve se perse kjo kala nuk duhet te shërbeje si pike e trashëgimisë kulturore? Perse shteti është i paafte te administroje nje kala historike? Çfare studimi është bere nga ministria e z.Gonxhja për te siguruar mënyrën me te mire ne dobi te publikut shqiptar?

Image

Kalaja e Rozafës-Shkodër

Kalaja e Rozafës ndodhet në hyrje të qytetit të Shkodrës, mbi një kodër shkëmbore midis lumenjve Buna dhe Drin. Ajo ka një histori mijëvjeçare, e lidhur me periudhën ilire dhe më pas me pushtimet romake, bizantine, veneciane dhe osmane. Ndërtimi i parë i fortifikimeve mendohet të jetë bërë nga ilirët në shek. IV para erës sonë, si pjesë e mbretërisë së Labeatëve.

Emri i kalasë lidhet me legjendën e Rozafës, një nga rrëfimet më prekëse të sakrificës dhe ndërtimit, ku gruaja e njërit prej tre vëllezërve u muros për të mbajtur muret e kalasë që të mos shembeshin.

Kalaja u përdor nga romakët në shek. II p.e.s, më vonë nga bizantinët, serbët e Stefan Dushanit, dhe më pas nga venecianët (që e riparuan në shek. XV). Më në fund, ajo ra në dorë të osmanëve në vitin 1479, pas një qëndrese të gjatë.

Image

Kalaja e Lëkurësit – Sarandë

Kalaja e Lëkurësit ndodhet mbi një kodër nga ku mund të shohësh qytetin e Sarandës dhe detin Jon. Është një ndërtesë ushtarake osmane, e ngritur në një pikë strategjike për të kontrolluar rrugët nga toka dhe nga deti.

Kalaja u ndërtua në shekullin XVI nga Sulltan Sulejmani i Madhërishëm, pas pushtimit të ishullit të Korfuzit dhe zonave përreth. Ndodhet në fshatin e braktisur të Lëkurësit (braktisur pas vitit 1878), dhe ka formën karakteristike të një katërkëndëshi me katër kulla. Ajo shërbente për të kontrolluar hyrjen në qytetin e Sarandës dhe për të ruajtur zonën nga sulmet detare. Kalaja ruan ende strukturën e saj dhe pamjen panoramike mbresëlënëse, por prej vitesh është e shfrytëzuar për qëllime private, kryesisht si pikë restoranti dhe ambient gastronomik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco