Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sjellë prova të reja për manipulimin e votës së diasporës në Itali dhe deklaroi se në 50 përqind të rasteve, fletët nuk u dorëzuan te votuesit. Berisha publikoi skandalin, sipas të cilit nga 91 mijë zarfe të dërguara në Itali, mbi 15 mijë fletë votimi, për arsye politike, nuk u kthyen kurrë në KQZ. Sa i përket mbylljes së doktoraturave në universitete, Berisha tha se duke bllokuar kërkimin shkencor, Rama po ia kalon edhe Enver Hoxhës dhe u bëri thirrje studentëve dhe pedagogëve të ngrihen në protesta.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, publikoi prova të reja të cilat vërtetojnë farsën me votën e diasporës në Itali. Në konferencën me gazetarët, Berisha denoncoi faktin se 15 mijë zarfe nuk kanë mbërritur në KQZ, ndërsa bëri me dije se në 50% të rasteve, fletët e votimit nuk u dorëzuan te votuesi, por në zyrat e Partisë Socialiste.
Berisha deklaroi se firma e qytetarëve shqiptarë mbi zarfin me fletën e votimit është falsifikuar nga ana e mazhorancës socialiste.
Për mbylljen e doktoraturave, kreu demokrat dënoi deklaratën e Edi Ramës, ku theksoi se kreu i qeverisë është urrejtës i mendimit akademik.
Berisha iu bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve që të ngrihen në protesta për të mos lejuar që universitetet të kontrollohen nga Edi Rama.
© SYRI.net