SYRI TV/ Rama jep me koncesion edhe kalatë – ‘Rozafa’ dhe ‘Lëkursi’ i dorëzohen privatit

15:25, 23/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që të jap me koncesion edhe Kalatë e vendit. Nëpërmjet një njoftimi të bërë publik nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, thuhet se kalaja e Rozafës dhe ajo e Lëkurësit do t’i jepen për shfrytëzim me qira privatit për një afat prej 20 vitesh

Syri TV

Kryeministri Edi Rama jep me koncesion edhe Kalatë e vendit. Prej vitesh në drejtimin e qeverisë, duke mos vendosur asnjë gur në ndërtesat e fortifikuara, Rama ka vendosur që ashtu si me detin dhe malin, edhe kështjellat në vend t’ia jap privatit. Kështu në Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe atë të Lëkurësit në Sarandë është parashikuar që të kalojnë tek privati për një shfrytëzim me qira 20 vjeçare dy ambiente shërbimi. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka bërë të ditur se kjo procedurë që parashikon dhënien në përdorim të pasurisë kulturore publike bën pjesë në atë që njihet si rijetësim, raporton Monitor. Lidhur me kalanë e Lëkurësit në Sarandë njoftimi saktëson se bëhet fjalë për një sipërfaqe 862 m2.

“Ambient shërbimi në Kalanë e Lëkurësit, Sarandë, me sipërfaqe prej 862 m2. Kalaja e Lëkurësit ndodhet midis rrënojave të fshatit Lëkurës të braktisur në vitin 1878, mbi majën e një kodre të lartë që ngrihet në formën e një piramide. Kalaja gëzon statusin “pasuri kulturore” rikonfirmuar me urdhër nr. 482, datë 1.8.2023 të ministrit të Kulturës, si dhe VKM-së nr. 730, datë 13.12.2023, “Për deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme e zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Sarandës, Kalasë së Lëkurësit e Manastirit të 40 Shenjtorëve, dhe miratimin e zonimit e të planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre” thuhet në dokument.

Lidhur me sipërfaqen në kalanë e Rozafës përcaktohet se bëhet fjalë për një ambient shërbimi në oborrin e tretë të Kalasë me sipërfaqe prej 196.2 m2. Kalaja gëzon statusin “pasuri kulturore” shpallur nga vendimi i Institutit i Shkencave (botuar në Gazetën Zyrtare nr. 95, datë 16.10.1948, Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës nr. 6, datë 15.1.1963, Ministria e Arsimit dhe Kulturës me nr. 1886, datë 10.6.1973, si dhe objekt i VKM-së nr. 788, datë 18.12.2024, “Për deklarimin “pasuri kulturore e paluajtshme” të zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Shkodrës, miratimin e zonifikimit dhe të planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre”.

Njoftimet përcaktojnë kriteret që duhet të plotësojnë subjektet që janë të interesuar për këto procedura si për personat fizikë edhe për ata juridikë të lidhura me element si kapacitetet tekniko-ligjore, gjendja financiare, ajo gjyqësore. Ndërkohë që dokumentacioni duhet të përfshijë edhe: propozimin për marrjen në përdorim të pasurisë kulturore; projektin e rijetësimit, sipas nenit 185, të ligjit nr. 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, analizën e detajuar të projektit; planin e zhvillimit të territorit etj

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco