Nga Alba Kepi
Sot, në Parlamentin Italian, Komisionet III (Punët e Jashtme) dhe IV (Mbrojtja) i Dhomës së Deputetëve, shqyrtojnë projekt-dekretin ndërministror nr. 278, me të cilin Qeveria italiane i dhuron Anijen ushtarake “Libra” Forcave Detare të Republikës së Shqipërisë.
Akti, i transmetuar nga Ministri italian i Mbrojtjes më 9 korrik 2025, prezantohet zyrtarisht si pjesë e bashkëpunimit dypalësh të sanksionuar nga Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit Itali–Shqipëri i vitit 2020, por që në realitet lidhet me tema shumë më të gjera si cmilitarizimi i flotës italiane, menaxhimi i flukseve migratore dhe roli strategjik i Shqipërisë në Ballkan dhe në Mesdheun e zgjeruar.
Anija Libra, e klasës Cassiopea, është një njësi detare patrulluese me mbi tridhjetë vjet shërbim aktiv, kryesisht në Mesdheun qendror dhe në Kanalin e Siçilisë. E destinuar për mbikëqyrjen bregdetare, kontrollin e peshkimit dhe misionet e kërkim-shpëtimit, sic dhe lexohet në skendën teknike të saj tashmë konsiderohet e vjetëruar nga Marina Ushtarake Italiane dhe është vendosur në rezervë që nga maji i shkuar.
Anija Libra, është projektuar në vitet ’80 dhe ’90 për misione patrullimi bregdetar. Edhe pse gjatë kohës i janë bërë përditësime teknologjike, këto anije nuk i përmbushin më kërkesat e skenarëve modernë ushtarakë, ku rëndësi kanë shpejtësia, autonomia, kapacitetet e avancuara të mbrojtjes dhe sistemet dixhitale të integruara.
Në thelb, Libra nuk i përmbush më nevojat operative të Italisë, por mund të jetë ende e dobishme në një kontekst më pak kërkues, si ai shqiptar, ku prioritetet janë patrullimi i ujërave territoriale dhe lufta kundër peshkimit të paligjshëm.
Dekreti i sotëm e paraqet këtë veprim si një gjest bashkëpunimi strategjik, në kuadër të rritjes së ndërveprueshmërisë ushtarake mes Romës dhe Tiranës. Por lind natyrshëm pyetja: a është vërtet një ndihmë për kapacitetet mbrojtëse të një aleati, apo një mënyrë për t’i shpëtuar një pasurie ushtarake të padobishme?
Në gjuhën teknike, “falas” nuk do të thotë “pa kosto”. Mirëmbajtja dhe përshtatja e një anijeje të vjetër 30-vjeçare do të kërkojë përpjekje logjistike dhe financiare të konsiderueshme për Shqipërinë.
Konteksti i vërtetë strategjik i këtij operacioni është marrëveshja për migracionin mes Italisë dhe Shqipërisë, e firmosur në nëntor 2023. Sipas këtij protokolli, në territorin shqiptar do të ngrihen qendra për pritjen e përkohshme të emigrantëve, të kapur në det nga anijet italiane.
Në këtë skenar, dhurimi i Anijes Libra lidhet drejtpërdrejt me këtë strategji: forcimi i kapaciteteve detare shqiptare do të thotë përfshirje e Shqipërisë në menaxhimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian. Tirana shndërrohet kështu në një partner operativ për ndalimin dhe kontrollin e emigracionit, në rolin e një “porte hyrëse të monitoruar” në Mesdhe.
Sot Komisionet parlamentare në Itali merren me një akt formal, por domethënia politike është shumë më e thellë: ajo ka të bëjë me rolin e Italisë në Mesdhe, besueshmërinë e aleatëve të saj, dhe vetë ideja evropiane si hapësirë të drejtash, përgjegjësie dhe bashkëpunimi të vërtetë.
© SYRI.net