'Tirana peng i pushtetit'/ Kepi: Bashkia si zyrë noterie, asnjë hetim për shkatërrimin e kryeqytetit

21:49, 22/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në emisionin “A Show” në Syri TV, gazetarja Alba Kepi tha se që nga shembja e Teatrit Kombëtar, Tirana është bërë peng i korrupsionit institucional dhe oligarkisë.

Kepi theksoi se, Bashkia e Tiranës është kthyer në një zyrë noterie ku vendosen aktet makabre që shkatërrojnë kulturën dhe historinë e qytetit. Qytetarët vazhdojnë të pyesin kush po mban peng qytetin, ndërsa asnjë hetim nuk është nisur për këtë shkatërrim.

Për Kepin, kjo është një pengmarrje politike që po vazhdon pa asnjë përgjegjësi.

Pjesë nga deklarata:

Pa dyshim, unë mendoj se që nga momenti kur ndodhi shkatërrimi dhe shembja e Teatrit, e deri më sot, qytetarët e Tiranës pyesin: Kush po e mban peng qytetin?
Po e mban peng korrupsioni institucional, ku është e qartë se Bashkia e Tiranës është kthyer në një zyrë noterie, ku vuloset çdo vendim dhe akt makabër, siç ishte edhe shembja e një simboli të artit shqiptar.

E mban peng oligarkia, të cilët e shohin kulturën dhe historinë e qytetit si një njësi matjeje në metra katrorë, me interesa shitblerjeje.
Tiranën e mban peng pushteti qendror, ku që prej shkurtit 2025, qyteti ka një kryetare bashkie në burg dhe kjo vijon edhe në orët e fundit.

Tirana vijon të jetë një peng i pushtetit qendror, që e përdor qytetin si një vitrinë politike dhe financiare, për të kënaqur interesat e një grupi të ngushtë personash.
Tirana është gjithashtu peng i kapitaleve të errëta, të cilat mund të kenë ndikuar edhe në shembjen e Teatrit dhe të atyre objekteve që përfaqësojnë përkatësinë, identitetin kulturor dhe simbolin kombëtar gjithçka që Tirana përfaqëson.

Që nga ai moment e deri më sot nuk ka pasur një proces hetimor të nisur, për të kuptuar realisht se sa i drejtë ishte ky akt dhe në interes të kujt është bërë.
Kjo pengmarrje e Tiranës, mendoj se është rezultat i një akti makabër, ku të gjitha zhvillimet që pasuan janë pjesë e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco