Debati mbi urbanistikën dhe çmimet e pasurive të paluajtshme në Tiranë ka kapërcyer kufijtë kombëtarë dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane. E përditshmja “La Verità” i ka kushtuar një artikull të gjatë investigimit të Syri TV, duke cituar analizën dhe intervistën në studio të gazetarit Evdin Parruca me korrespondenten në Itali, gazetaren Alba Kepi.
“La Verità” thekson se Syri TV po bëhet një pikë referimi në Shqipëri për denoncimet mbi spekulimet urbanistike, duke sjellë paralele me rastet e Milanos dhe çështjet që prekin arkitektin e famshëm Stefano Boeri.
“Metoda Milano” në Tiranë
Syri TV ka ngritur alarmin për atë që tashmë quhet “metoda Milano”, një strategji urbanistike që jo vetëm transformon pamjen e qytetit, por edhe ngre çmimet e ndërtimit në nivele të papërballueshme – deri në 5.500 euro për metër katror në Tiranë.
Në qendër të këtij diskutimi qëndron projekti Tirana Vertical Forest i Boerit, një kompleks 21-katësh i futur në planin urbanistik “Tirana 2030”. Edhe pse promovohet si shembull i gjelbërimit dhe inovacionit, kritikat flasin për një spekulim të maskuar nga narrativa e “arkitekturës së gjelbër”, që mund të shërbejë edhe si mjet për pastrim parash.
“Sistemi është i njëjtë”
Gjatë emisionit të Parrucës, Alba Kepi vuri në dukje një dallim themelor mes Italisë dhe Shqipërisë:
«Në Itali, hetimet fillojnë nga prokuroria dhe zgjasin me vite, deri në zbardhjen e plotë të aferave. Në Tiranë, denoncimet mbeten në duart e opozitës dhe këshilltarëve bashkiakë, pa asnjë reagim të organeve të drejtësisë», – deklaroi ajo.
Kepi paralajmëroi gjithashtu për një flluskë imobiliare që po rritet në mënyrë të rrezikshme, duke shtuar se pas bumit të ndërtimit fshihet një sistem klientelist dhe pastrim parash, që ndodh hapur dhe pa frikë nga ndëshkimi ligjor.
Rasti Veliaj dhe jehona politike
Analiza e Syri TV dhe komentet e Kepit morën një dimension të ri pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, vetëm pak ditë para Shën Valentinit, me akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Hetimet zbuluan rrjete kompanish fantazmë, kontrata të dyshimta dhe pasurim personal, përfshirë lajmin e përfolur se bashkëshortja e tij ka shpenzuar rreth 800 mijë euro për stoli dhe veshje luksoze.
Kjo ka bërë që projekti i Boerit të shihet me një sy tjetër: nga një simbol i prestigjit urban dhe arkitekturës së gjelbër, në një shenjë të qartë të një Tirane “glamour” që mund të shpërthejë në një krizë të ngjashme me atë të Milanos.
Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Fakti që media italiane, si “La Verità”, citojnë gjerësisht Syri TV dhe analizat e gazetareve shqiptare, tregon një interes të dyfishtë: një paralajmërim për pasojat e spekulimeve urbane dhe një vëzhgim mbi lidhjet e errëta mes politikës dhe investimeve të mëdha.
© SYRI.net