Ish-Presidenti Ilir Meta, njëkohësisht Presidenti i Partisë së Lirisë, ka apeluar vendimin e GJKKO-së që rrëzoi kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Avokatët e Metës dorëzuan këtë të hënë ankimimin pranë Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Më 26 qershor, pas një seance që zgjati afro 4 orë, Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për ish-presidentin Meta. Mes debatesh me prokurorin Sotir Kllapi, i cili përfaqësonte akuzën në këtë proces, kreu i Partisë së Lirisë pretendoi se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë, ndërsa sa i takon episodeve të korrupsionit, duke pranuar ekzistencën e tyre, ia atribuoi të gjitha ish bashkëshortes, Monika Kryemadhi.
Përdorimin e kartave të kreditit të dhëna nga biznesmeni Adrian Shatku, që SPAK e cilëson si mitin në këmbim të akteve të korrupsionit, Ilir Meta thotë se ishin të Monikës, dhe kur e mori vesh ai kërkoi divorcin me të. Për Metën, Kryemadhi kishte kryer kështu një shkelje të rëndë të besimit, të ligjit për një politikane me përvojë, por edhe në dëm të kauzave të tij politike.
© SYRI.net