Pas hapjes së kutive të votimit në katër qarqe të vendit, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) u mblodh për të dëgjuar pretendimet e palëve lidhur me problematikat e evidentuara dhe rezultatet e rinumërimit. Partia Demokratike, e cila ka ankimuar rezultatin, kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në të gjitha qarqet, duke paraqitur prova që, sipas saj, faktojnë manipulime nga procesi i votimit deri te ai i numërimit.
Në Qarkun e Tiranës, përfaqësuesit e PD-së kërkuan auditim të materialeve zgjedhore në mbi 300 kuti problematike. Kërkesat e PD-së u kundërshtuan nga KQZ-ja dhe Partia Socialiste, ndërsa KAS pritet të marrë një vendim për secilin qark të rinumëruar.
Në rastin e Elbasanit, ku u bë vetëm vlerësimi i fletëve të votimit, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, renditi të gjitha problemet që u zbuluan pas hapjes së kutive — nga fletët pa vulë, deri te humbja e fletëve të papërdorura. Ai theksoi gjithashtu se pamjet filmike dëshmojnë për fenomene si “treni bullgar”, votim të shumëfishtë, komisionerë që votojnë në vend të zgjedhësve dhe diktim të votës. Këto shqetësime u ngritën edhe nga kandidati i PD-së në Elbasan, Blendi Himçi, i cili kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së rezultatit. Kjo kërkesë u hodh poshtë nga përfaqësuesit e KQZ-së dhe të Partisë Socialiste gjatë mbledhjes së KAS-it.
Sa i përket Qarkut të Fierit, PD-ja vuri në dukje trafikimin e votave brenda Partisë Socialiste, duke sjellë si shembull rastin e Zegjine Caushit, e cila humbi mandatin pasi u zbulua se kishte përvetësuar vota, si dhe të Ceno Klosit, që rezultoi me rreth 900 vota të trafikuara. Logu i cilësoi këto si shkelje ligjore dhe kërkoi që KAS-i t’i referojë çështjet përkatëse Prokurorisë.
Debate pati edhe për Qarkun e Tiranës, ku përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franci Nuri, kërkoi auditim të 300 kutive të votimit, duke argumentuar se ka mospërputhje të theksuara në shifra. Ai kërkoi gjithashtu sqarime nga KQZ-ja për votën e diasporës, duke akuzuar se ajo është manipuluar.
Në Qarkun e Durrësit, ku u hap vetëm gjysma e kutive të votimit dhe kutitë e votës së diasporës, PD-ja ngriti shqetësimin për mospërputhjen e të dhënave dhe mungesën e vulave të sigurisë, duke theksuar se këto cënojnë integritetin e procesit. Kandidati i PD-së, Aulon Kalaja, kërkoi hapjen e të gjitha kutive të votimit në Durrës, për të verifikuar të gjitha parregullsitë.
Pas dëgjimit të palëve për katër qarqet e ankimuara, KAS pritet të dalë me një vendimmarrje përfundimtare, nëse do të pranojë apo do të rrëzojë kërkesat e opozitës për shpalljen e pavlefshmërisë dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve në këto qarqe.
© SYRI.net