Lufta e Edi Ramës me tavolinat e lokaleve, punës dhe bukës së shqiptarëve

Lufta e Edi Ramës me tavolinat e lokaleve, punës dhe bukës së shqiptarëve

15:07, 07/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Hysni Gurra 

Ajo që po ndodh me aksionin për largimin e tavolinave dhe karrigeve të lokaleve nga hapësirat publike nuk është reformë, nuk është zbatim i ligjit dhe as rregullim urbanistik.

Është një sulm i drejtpërdrejtë dhe i paramenduar ndaj sektorit të fundit që ka mbetur gjallë në Shqipëri: ai i shërbimeve.

Ndërkohë që mediat pranë qeverisë e paraqesin si “pastrim të qytetit”, realiteti është se qeveria po u shkelmon punën dhe bukën mijëra qytetarëve që jetojnë nga ky sektor.

Ku ka qenë Rama për gjashtë vite?

Që nga viti 2019, mbi 90% e bashkive në vend janë të drejtuara nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Nëse vendosja e tavolinave në trotuare përbën shkelje, ku ka qenë Edi Rama dhe qeveria e tij për më shumë se gjashtë vite?

A beson ndokush se kryebashkiakët si Erion Veliaj në Tiranë, Ermal Dredha në Vlorë apo Pjerin Ndreu në Lezhë etj kanë lejuar të ndodhë kjo situatë pa dijeninë dhe miratimin e qeverisë qendrore? Kjo është një përrallë për të paditurit.

Kjo nuk është një situatë e krijuar rastësisht, por pasojë e tolerancës së qëllimshme për arsye elektorale dhe klienteliste. Dhe sot, për të njëjtat hapësira që më parë u dhanë me leje dhe pagesë, qeveria ndërhyn me forcë dhe propagandë.

Ligjshmëri e kthyer në farsë

Lokalet që kanë vendosur tavolina në hapësirat publike nuk kanë vepruar në paligjshmëri. Ato kanë marrë leje, kanë paguar taksa të rregullta bashkiake dhe kanë investuar në ambiente të jashtme, sipas rregullave të vendosura nga vetë mazhoranca.

Çdo metër katror i zënë në sheshe e trotuare është i faturuar, i taksuar dhe i miratuar nga institucionet që sot e konsiderojnë “problem”. Ky është standardi i dyfishtë i një shteti që vepron me forcë mbi qytetarët, por hesht para shkeljeve të vërteta që ndodhin në nivele më të larta.

Pasoja: më pak punë, më pak të ardhura, më shumë largim

Çdo tavolinë që hiqet nuk është thjesht një mobilje. Është një vend pune më pak. Është një i ri i papunë më shumë. Është një familje me më pak të ardhura.

Tavolinat dhe karriget e një lokali përkthehen në punësim: kamarierë, pastrues, kuzhinierë, furnizues, menaxherë. 

Heqja e tyre do të thotë shkurtime, falimentime, borxhe dhe dëshpërim. Dhe jo vetëm për biznesin, por edhe për vetë bashkitë, të cilat humbasin të ardhurat që merrnin nga këto aktivitete të ligjshme.

Kjo nuk është reformë – është goditje e drejtpërdrejtë ndaj mbijetesës së qytetarëve.

Një pushtet pa fre, një njeri me të gjitha pushtetet

Ky aksion është shembulli më i qartë se në Shqipëri nuk kemi më ndarje pushtetesh. Kryeministri sillet si kryebashkiak i çdo qyteti, si prokuror i çdo rasti, si gjykatës i çdo njeriu dhe si polic i çdo lagjeje.

Në vend që të mbështesë biznesin e vogël, që është oksigjeni i ekonomisë, Edi Rama ka zgjedhur të heqë edhe frymën e fundit që ka mbetur në rrugët e qyteteve tona.

Ai e nisi me shkatërrimin e industrisë, e vazhdoi me rrënimin e bujqësisë, dhe tani po e përmbyll me goditjen e sektorit të shërbimeve – të vetmit që mbeti në këmbë.

E vërteta është kjo: Edi Rama nuk po pastron qytetet. Ai po pastron gjurmët e mbijetesës. Po heq tavolinat ku punohet, po shkelmon karriget ku prodhohej një rrogë për një punëtor, dhe vijon misionin, po i largon shqiptarët jo vetëm nga puna, por edhe nga vetë Shqipëria.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco