Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka reaguar në lidhje me rritjen ekstreme të çmimeve të ushqimeve në Shqipëri, duke e quajtur këtë një situatë të paralajmëruar dhe aspak surprizë për qytetarët.
Në një intervistë në edicionin e lajmeve në SYRI TV, Panariti tha se çmimet e larta lidhen ngushtësisht me rënien e prodhimit bujqësor vendas dhe me dominimin e produkteve të importuara, madje edhe në sektorë ku Shqipëria ka pasur avantazh konkurrues, siç janë frutat dhe perimet. Panariti thekson se kjo situatë ka çuar në formimin e monopoleve në treg, duke ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e fuqisë blerëse së konsumatorit shqiptar dhe në çmime që, për disa produkte si bulmeti, janë 130% më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian.
Edmond Panariti: Për mua nuk është një surprizë, por mendoj që nuk duhet të jetë surprizë për asnjë nga qytetarët Shqiptarë që ne kemi këto çmime ekstremist të larta për fuqinë blerëse të konsumatorit shqiptar. Kjo vjen nga rënia e prodhimit bujqësor dhe nga rënia e ofertës dhe në një linjë normale ekonomike kur ka ofertë të ulët, ka kërkesë të lartë dhe për rrjedhojë kjo ndikon tek çmimet.
Prodhimi vendas, tashmë dihet që është i dominuar nga importet dhe jo vetëm tek prodhimet tek të cilët ne nuk kemi patur avantazhe konkurruese-krahasuese, por aty ku ne kemi avantazhe konkurruese-krahasuese si rrjedhojë e kushteve klimaterike dhe kushteve të relievit dhe të mikroklimës. Siç ishin dhe fruta-perimet.
Edhe këtu, nëse do të bënim një sondazh në treg, tashmë ne do të ndodheshim në pikun e prodhimeve të tyre nga prodhimi vendas, kemi pothuajse një dominim të prodhimeve të importit. Kemi rrushin nga Moldavia, kemi pjeshka, nektarina, kajsi nga Greqi dhe prodhimi vendas është pothuajse i papërfillshme me masën e prodhimit të importit. Në një farë mënyrë, ato përcaktojnë edhe çmimin në treg, pasi janë në vetvete edhe linja të mirëfillta monopolesh.
Kështu që, nuk është surprizë për mua që ne kemi tashmë çmime të ushqimeve më të larta se mesatarja Evropiane në tërësi, ndërsa për produkte të veçanta siç janë bulmeti, ne kemi çmime 130% më të larta se sa BE.
© SYRI.net