Gjykata e Posaçme ka vendosur lirimin e Jamarbër Malltezit. Prej afro dy vitesh, Malltezi qëndronte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa u ndalua më tetor 2023 në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.
Në dalje nga GJKKO, Malltezi e cilësoi të gjithë çështjen si një farsë politike.
“Ka mbi 20 muaj që kjo ishte një farsë politike, ishte një urdhër politik”, u shpreh ai para mediave. Duke akuzuar mazhorancën dhe drejtësinë për një goditje të orkestruar, ai deklaroi se shteti po funksionon si në vitin 1945, duke luftuar armiqtë e partisë socialiste dhe jo duke zbatuar ligjin.
Sipas tij, lirimi vjen pas mbi 20 muajsh privim lirie me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama.
“E mbajmë mend se si në kongresin e PS, Rama urdhëroi publikisht SPAK të procedojë penalisht Sali Berishën”, deklaroi Malltezi, duke shtuar se një linjë e tillë është ndjekur më pas edhe nga diplomatë amerikanë si Yuri Kim dhe Gabriel Escobar.
Ai denoncoi gjithashtu kërkesa të shumta që i janë drejtuar institucioneve për të mbledhur të dhëna mbi të dhe familjen e tij.
“16 kërkesa brenda muajit, një prej tyre i drejtohet Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të dhëna mbi 30 vitet e fundit, për të gjithë familjen time dhe fëmijët që nuk kishin lindur ende”, tha Malltezi.
Sipas tij, fakti që personat ishin nën hetim pa qenë ende të regjistruar zyrtarisht tregon se kemi të bëjmë me një proces të ndotur politikisht.
Ai akuzoi gjyqtaren Irena Gjoka se ndodhet në kushtet e paligjshmërisë për të vijuar detyrën, ndërsa KLGJ nuk ka vepruar për 16 muaj, pavarësisht se ka afat ligjor prej 15 ditësh. Mësohet se është rrëzuar edhe kërkesa e gjyqtares Elsa Ulliri për dorëheqje.
Malltezi:
Ka mbi 20 muaj që kjo ishte një farsë politike, ishte një urdhër politik.
Nuk kemi të bëjmë me një shtet ligjor, kemi të bëjmë me një shtet i cili lufton armiqtë e partisë socialiste, njëlloj si në ’45.
Vendimi i sotshëm vjen pas mbi 20 muajsh privim lirie, vetëm me një urdhër politik të Edi Ramës.
E mbajmë mend se si në kongresin e PS Rama urdhëroi publikisht SPAK të procedojë penalisht Sali Berishën.
Të njëjtën gjë i kanë kërkuar edhe diplomatë të korruptuar amerikanë si Yuri Kim apo Gabriel Escobar.
Prandaj kemi të bëjmë me një proces politik por që akoma më tej u ndot gjatë rrugës.
Këtu keni 16 letra, sapo Edi Rama urdhëroi SPAK të veprojë kundër Sali Berishës, i dha komandën ‘s’kape’, SPAK kërceu.
16 kërkesa brenda muajit, ja ku i keni këtu.
Një nga këto kërkesa ia ka bërë Institutit të Sigurimeve Shoqërore me emër, mbiemër, numër personal të të gjithë familjes sime dhe të fëmijëve të mi, duke kërkuar të dhëna të 30 viteve të fundit, që kur fëmijët e mi nuk kishin lindur ende.
Ju kujtoj se në këtë kohë nuk ishte regjistruar emri i personave nën hetim, por këtu janë me emër, mbiemër e me numra personalë.
Kjo tregon se kemi një proces me urdhër politik por dhe të ndodhur. Pse?
Sepse Irena Gjoka ishte në kushtet ku nuk legjitimohej për të qenë gjyqtare dhe pse KLGJ e ka me detyrim, ne duhet të veprojmë për 15 ditë, ka 16 muaj që nuk veprojnë.
© SYRI.net