Nga Mal Berisha
Dështimi i 43-të “Sui Generis” në Parlamentin e Kosovës.
Kosova është një prej atyre vendeve që historia e ka ndëshkuar më rëndë, duke e bërë atë një rast krejt të veçantë – SUI GENERIS – ndryshe nga çdo vend tjetër i Ballkanit dhe i Evropës. Por, nëse në të kaluarën ky fat ishte i imponuar nga të tjerët, sot, për fat të keq, Kosova po bëhet SUI GENERIS nga duart e veta, prej papërgjegjshmërisë politike që e ka kapluar.
SUI GENERIS NË HISTORI – NJË TRAGJEDI E IMPONUAR
▪️ Në Fushën e Kosovës, në tokën e saj, shqiptarët luftuan bashkë me të tjerët, por humbën... tani janë të tjerët ata që e “festojnë” këtë ngjarje. – SUI GENERIS !
▪️ Në rezistencën ndaj Perandorisë Osmane, kosovarët u sakrifikuan, por historia nuk i përmend aq sa meritojnë, edhe pse një pjesë e tyre mbetën ndër të krishterët më besnikë të Evropës Juglindore dhe i dhanë aq shumë krishtërimit. – SUI GENERIS !
▪️ Në Lidhjen e Prizrenit, ata organizuan kryengritjet për bashkimin kombëtar, edhe vetë Lidhjen por vetë mbetën nën sundimin serbo-otoman. – SUI GENERIS !
▪️ Në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ishin ata që organizuan Kryengritjet e Mëdha të Veriut në vitet 1911–1912, por kur erdhi dita e fitores, “mbërritën me vonesë” në
Vlorë dhe për vete mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. – SUI GENERIS !
▪️ Me formimin e dy mbretërive ballkanike, asaj serbo-kroato-sllovene dhe asaj shqiptare, ata mbetën nën sundimin e të parës, pa pasur asnjë lidhje kulturore, etnike apo historike me të. – SUI GENERIS !
▪️ Në Luftën e Dytë Botërore, ata bashkëpunuan për çlirimin nga nazizmi dhe për bashkimin kombëtar, por u tradhtuan, u lanë jashtë atdheut dhe mijëra patriotë e luftëtarë iu dorëzuan shovinistëve serbë dhe titistëve në Tivar. – SUI GENERIS !
▪️ Në vitet 1968, 1981 dhe 1989, ishin të parët që u ngritën kundër komunizmit në tërë lindjen komuniste si dhe dhe shovinizmit serb – SUI GENERIS !
▪️ Në vitin 1989, nën një regjim të dyfishtë shtypës – komunist dhe serbomadh – Kosova krijoi opozitën e parë demokratike në Evropën Lindore. – SUI GENERIS !
▪️ Përballë dhunës barbare serbe, një popull pa armë organizoi një rezistencë paqësore, të udhëhequr nga një burrë i vogël në trup, por i madh në shpirt – Ibrahim Rugova. – SUI GENERIS !
▪️ Në vitin 1999, shqiptarët e Kosovës përjetuan eksodin më të madh në Evropën moderne dhe, për herë të parë në historinë botërore, NATO ndërhyri për të mbrojtur një popull që nuk ishte pjesë e ndonjë shteti anëtar të saj – një veprim unik në historinë ndërkombëtare. – SUI GENERIS !
E gjithë kjo është një tragjedi historike, një fat i imponuar nga të tjerët, një SUI GENERIS që shqiptarët e Kosovës nuk e zgjodhën vetë, por e pësuan me gjak, lot dhe sakrificë.
SOT, NJË TJETËR SUI GENERIS – POR KËTË HERË, I VETËSHKAKTUAR!
Pas gjithë këtyre sakrificave, çfarë ndodh sot në Kosovë?
▪️ Dështojnë 43 herë për të konstituar Kuvendin.
▪️ Shkelin mbi votën e popullit që i zgjodhi.
▪️ E zhvlerësojnë institucionin më të lartë të demokracisë – Parlamentin.
▪️ E bëjnë Kosovën SUI GENERIS , jo për heroizëm e qëndresë, por për dështim politik dhe institucional.
Ky SUI GENERIS i sotëm nuk është më një fat i imponuar nga armiqtë historikë.
Ky SUI GENERIS është një produkt i ambicieve të vogla, i vënies së interesave vetjake dhe partiake mbi ato të popullit që i ka votuar, i mungesës së ndërgjegjes kombëtare.
Në të ardhmen, ky dështim SUI GENERIS do të shërbejë si shembulli SUI GENERIS për studimet SUI GENERIS të politologëve SUI GENERIS....
© SYRI.net