Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, në intervistën e dhënë në edicionin e lajmeve të mesditës në SYRI TV, foli rreth funksionimit të Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, ky institucion ka humbur çdo autonomi vendore dhe është kthyer në një departament apo aneks të Kryeministrisë, ku vendimet nuk merren më nga përfaqësuesit e zgjedhur, por drejtpërdrejt nga qeveria.
Teliti akuzon gjithashtu se kryetari i bashkisë Erion Veliaj prej pesë muajsh nuk është aktiv në drejtim, ndërsa kompetencat janë marrë në mënyrë të tejzgjatur nga Anuela Ristani, e cila nuk ka asnjë mandat nga qytetarët.
Dorian Teliti: Bashkia e Tiranës, tashmë është bërë një aneks i qeverisë, nuk është më një bashki që funksionon sipas ligjit të qeverisjes vendore, pra që ka një autonomi të vetën lokale. Tashmë është bërë një aneks, një drejtori, një departament i qeverisjes vendore, i kryeministrisë ku asnjë nuk vendoset më nga ata që duhet të ishin të zgjedhurit në krye të Bashkisë së Tiranës, por vendoset nga kryeministri dhe qeveritarët se çfarë ndodh e çdo veprimtari e vendimmarrje brenda bashkisë.
E thënë ndryshe, sot në Bashkinë e Tiranës, ndonëse në vitin 2023 u bënë zgjedhjet të cilat të kontestuara qartësisht nga ana jonë pasi e dimë shumë mirë që Erion Veliaj mandatin e mori nga aktiviteti sidomos i grupit kriminal ‘5D’, sido që të jetë de jure nga KQZ, Erion Veliaj ishte kryetar i Bashkisë Tiranës. Tashmë u bënë 5 muaj që Erion Veliaj është rezident në Durrës, nuk është më në krye të punës. Dhe kemi prej 5 muajsh një zonjë e cila quhet Anuela Ristani, e cila ka qenë nënkryetare e Bashkisë Tiranës që tashmë ka marrë në mënyrë të tejzgjatur jo më në një afat 3 mujor siç e sanksionon edhe ligji, ka marrë kompetencat e kryetarit dhe vazhdon të drejtojë bashkinë ndonëse nuk është e zgjedhur nga qytetarët e Tiranës.
Për më tepër, e dimë shumë mirë influencën e kryeministrore dhe kabinetit qeveritar mbi menaxhimin tashmë të ri të Bashkisë së Tiranës, dhe e përsëris që sot Bashkia e Tiranës sot fatkeqësisht është një aneks, departament i ri shtesë në zyrat e kryeministrisë dhe nuk është më një institucion që ti shërbejë qytetarëve dhe të zgjidhë hallet e tyre.
© SYRI.net