Siguria juridike në Shqipëri është në nivele minimale, dhe këtë e kanë pranuar në vijimësi edhe institucionet ndërkombëtare, të cilat nuk harrojnë ta përmendin në asnjë raport. Këtu nuk përjashtohen as rastet kur shteti abuzon me pozitën e fortë që ka përballë qytetarëve dhe bizneseve.
Disa ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për procedurat e faljes së gjobave administrative të disa inspektoriateve, siç janë ai i territorit, Inspektorati Shëndetësor, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Policia e Shtetit. Logjika që zbatohet është e thjeshtë: shteti fshin gjobat që vetë i ka vendosur – madje disa padrejtësisht – dhe këtë e shet si ndihmë ndaj qytetarëve, të cilët, kundrejt këtij “shpërblimi”, duhet ta votojnë.
Një rreth vicioz që shkallmon çdo të drejtë demokratike në një shoqëri dhe sjell deformime të mëdha. Shembulli më tipik është ajo që ka ndodhur me mijëra biznese në Bashkinë Tiranë, të cilëve u kanë ardhur detyrime të larta në taksa e tarifa, por edhe kamatëvonesa.
Në fund të vitit 2024 dhe gjatë vitit 2025, një pjese të konsiderueshme të bizneseve në kryeqytet u ka ardhur në sistemin e taksave dhe tarifave vendore njoftimi për rritjen e tarifës së pastrimit për vitin 2023 dhe 2024, si edhe një kamatë e lartë për vitin 2023.
Tarifa e pastrimit varion nga 4 mijë lekë për ato biznese me xhiro deri në 8 milionë në vit, 5,750 lekë për ato me xhiro 11 milionë e 500 mijë lekë në vit, 92,000 për bizneset e mesme dhe 115,000 lekë për të mëdhenjtë e kategorisë VIP. Gjithashtu, subjektet e prodhimit dhe ndërtimit e kanë edhe më të lartë këtë taksë, disa në 195 mijë lekë e të tjerë 414 mijë lekë.
Duke qenë se vlera e tarifës së pastrimit varion në bazë të xhiros që kanë bizneset, më 28 mars të vitit 2024, Këshilli Bashkiak ndryshon vendimin për Sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore në Tiranë, ku përveç rritjes së taksës së pasurisë për bizneset dhe individët, duke rifreskuar çmimet e referencës, bën edhe një ndryshim në dukje të parëndësishëm, por që do të kishte pasoja më vonë.
Në nenin 41, shtohet një pikë me këtë përmbajtje: “Kategorizimi i tarifës së pastrimit sipas nivelit të xhiros vlen vetëm për subjektet pa përgjegjësi tatimore të 'Tatim mbi fitimin'” – duke lënë në dorë të lirë të Drejtorisë së Taksave përcaktimin e tarifës për bizneset e tjera.
Por Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore nuk u mjaftua me kaq! Në mes të vitit 2024 bën rivlerësimin e xhiros vjetore të bizneseve duke marrë informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ndryshon në masë për një pjesë të mirë të sipërmarrjeve nivelin e taksës së pastrimit, duke e dyfishuar.
Për ta kuptuar se çfarë ka ndodhur:
Në bazë të vendimit të Këshillit Bashkiak, tarifa e pastrimit për kategorinë biznes paguhet një herë në vit, brenda datës 20 prill, por përditësimi dhe rivlerësimi i kategorisë së biznesit ka ndodhur pas kësaj date. Ndaj, kur bizneset janë drejtuar për të paguar detyrimin këtë pranverë, kanë gjetur jo vetëm një tarifë të rritur për vitin 2024, por edhe për vitin 2023 – dhe për këtë të fundit u është vendosur edhe kamatë.
Shkeljet janë bërë hapur, pasi ndërmarrjet nuk janë njoftuar në asnjë moment, as nga autoritetet e bashkisë dhe as nga Drejtoria e Taksave dhe Tarifave, për ndryshimin e përgjegjësisë tatimore. Edhe pse janë treguar të rregullta duke paguar brenda afatit tarifën, janë ndëshkuar me gjobë!
Dhe kjo e bën shkeljen akoma më flagrante! Sepse ndryshimi i nivelit të taksimit jo vetëm që duhet të njoftohet brenda afatit, por në praktikën e ligjeve fiskale kjo procedurë minimalisht bëhet 30 deri në 60 ditë përpara, për t’u lënë kohë bizneseve që të përshtaten me tarifat e rritura. Ndërsa penaliteti i vendosur është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe përbën një shkelje të rëndë nga ana e organeve të bashkisë, pasi askush nuk është njoftuar dhe nuk mund të pretendohet pagesa për një tarifë për të cilën nuk je në dijeni!
Ligjet dhe aktet administrative që merr një institucion publik nuk mund të kenë fuqi prapavepruese dhe të kërkojnë pagesën e tarifave të rritura për vite që nuk janë përfshirë në këtë regjim tatimor nga vetë organi që bën vlerësimin për vlerën e taksave! Në rastin kur Bashkia Tiranë ka rivlerësuar xhiron e biznesit, atë muaj do të duhet të aplikohej edhe tarifa e rritur – dhe jo më parë – por gjithmonë duke e njoftuar në sistem dhe duke i lënë afat për ta paguar, sipas praktikës që përcakton vetë Vendimi i Këshillit Bashkiak, i cili vendos që taksa për bizneset që hapen pas datës 20 prill të përpjesëtohet në bazë të muajve kalendarikë.
Po cila është rruga që duhet të ndjekin bizneset? Duhet t’i drejtohen Komisionit të Apelimit në Bashkinë e Tiranës, i cili nuk dihet nëse është funksional, pasi që nga konstituimi në vitin 2018 nuk ka asnjë procesverbal të mbledhjeve të tij, ndërsa disa nga anëtarët fillestarë tashmë janë përballë drejtësisë.
Ose t’i drejtohen gjykatës, ku shpenzimet që duhen për të marrë mbrojtje ligjore dhe për të ndjekur çështjen në ngërçin që ka kapur sistemin e drejtësisë – ku duhen vite për të marrë drejtësi – janë disa herë më të larta se gjoba dhe tarifa e rritur!
Për ta konkretizuar me shembull, ju tregojmë se çfarë ka ndodhur konkretisht me një biznes të vogël që punon në fushën e profesioneve të lira. Tarifa e pastrimit për kategorinë deri në 2 milionë lekë xhiro në vit është 5,750 lekë. Duke qenë se përgjegjësia tatimore iu rivlerësua si biznes me xhiro 2 deri në 8 milionë lekë, tarifa bëhet 11,500 në vit, pra dyfish më shumë. Përveç kësaj, biznesit i vendoset edhe një gjobë në vlerën 5 mijë lekë për vitin 2023… Një surprizë tërësisht e papritur për këtë biznes, për të cilin pagesa totale e këtij viti – vetëm nga rritja dhe gjoba, pa llogaritur tarifën vjetore – është 16,500 lekë! Sa për 3 vite bashkë që ka paguar dikur…
© SYRI.net