Kompania “Salillari”, e afërt me kryeministrin Edi Rama, ka marrë një tender me vlerë mbi 5 miliardë lekë të vjetra ose rreth 5 milionë euro nga Ministria e Drejtësisë për ndërtimin e burgut të Kukësit, vetëm pak orë para se shqiptarët t’i drejtoheshin kutive të votimit.
Kompania në pronësi të Pëllumb Salillarit është akuzuar shpesh se përfiton tendera publikë dhe më pas përdor paratë për blerje votash në favor të Partisë Socialiste. Madje, për këtë shoqëri private ka edhe kallëzime konkrete në Prokurorinë e Posaçme, por deri më tani nuk ka asnjë rezultat.
Nga një verifikim i kryer nga “Syri Televizion” në Buletinin e Prokurimit Publik të shpallur së fundmi, rezulton se shumë subjekte private, të lidhura ngushtë me partinë në pushtet, kanë fituar miliarda në javën e fundit të fushatës elektorale.
Kompania “ABS”, për të cilën dyshohet se fsheh interesat e Armand Frangut, baxhanakut të kryeministrit Rama, ka fituar së fundmi dy tendera nga institucionet qeveritare, për një fond total prej mbi 5 miliardë lekë të vjetra, gati 5 milionë euro.
Shoqëria “Dajti Park 2007”, në pronësi të familjes Qefaliaj, të deputetit socialist, Xhemal Qefaliaj, ka marrë vetëm në dy tenderat e fundit mbi 500 milionë lekë të vjetra.
Kompania “G&M Konstruksion” e Maliq Zotkës, djalit të kryebashkiakut socialist të Poliçanit, Adriatik Zotkaj, ka fituar pak orë para fushatës tender me vlerë 70 milionë lekë të vjetra në Bashkinë e Gramshit.
Shoqëria e familja së prefektit të Tiranës, Afrim Qendro, “Start & Co” ka fituar tender me vlerë 300 milionë lekë të vjetra në bashkinë e Durrësit, të drejtuar nga Emirjana Sako.
Vilma Nushi, mikesha e deklaruar e kryeministrit Edi Rama, vetëm gjatë javës së fundit, është shpallur fituese në dy tendera publikë, me një vlerë totale rreth 50 milionë lekë të vjetra, nëpërmjet “Marketing & Distribution”.
Kompania “Genti 001”, e cila është në gjykim për shkelje të barazisë në tendera para Gjykatës së Posaçme, së bashku me ish-kryebashkiaken socialiste të Roskovecit, Rajmonda Balili, ka fituar vetëm në orët e fundit tre tendera, me fond total 100 milionë lekë, pikërisht në këtë bashki.
Po në Roskovec, shoqëria “AGAI-1” ka marrë një tender të orës së fundmit, me fond 40 milionë lekë të vjetra. Shoqëria private ka aksioner Renato Salin, i njohur ndryshe edhe si Renato Çami, një personazh i rëndësishëm i kronikës së zezë dhe që emri i tij ka dalë në procesin gjyqësor të vrasësve me pagesë që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme.
© SYRI.net