Manipulime me votat e diasporës në Greqi/ PD kërkesë KQZ-së: Çfarë po ndodh me 70 mijë votues?

13:55, 08/05/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike ka denoncuar ditën e sotme një tjetër seri problemesh që lidhen me zarfe të votimit të diasporës.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, në një konferencë për mediat, theksoi shqetësimet lidhur me procedurat e ndarjes dhe numërimit të votave të ardhura nga jashtë, sidomos ato nga Greqia.

Ai bëri me dije se, nga aspekti juridik dhe ligjor, PD do të depozitojë me urgjencë një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar sqarime dhe veprime për trajtimin e këtyre zarfeve në mënyrë të veçantë, për të parandaluar problematika të mundshme në procesin zgjedhor.

Deklarata:

Nga aspekti juridik dhe ligjor, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të depozitojmë me urgjencë kërkesën që sapo parashtroi zonja Topalli. Sa i përket ndarjes së votave dhe zarfeve me vota që vijnë nga Greqia në kuti të veçanta, kërkojmë që sot, kur të arrijnë fletët e votimit, ato të ndahen sipas qarqeve, ku do të numërohen më pas. Kërkojmë që të gjitha zarfe që vijnë nga shteti grek të mbahen veçmas dhe të seleksionohen sipas zonave dhe qarqeve përkatëse. Këto zarfe të mbahen veç, për të parë nëse do të rezultojnë ankimime apo problematika të tjera. Nëse ka ankimime, ato mund të ndahen nga zarfe që vijnë nga shtetet e tjera.

Kjo kërkesë do të depozitohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Një kërkesë tjetër ka të bëjë me informacionin drejtuar KQZ për numrin total të zarfeve me material votimi të dërguar nga KQZ përmes operatorit DHL në adresat e votuesve shqiptarë të diasporës. Kërkojmë informacion për numrin e zarfeve të pa dorëzuara ende, sipas të dhënave, si dhe numrin e zarfeve të kthyer pas si të papërfituar nga qytetarët. Kjo është e rëndësishme, pasi nuk kemi informacion në asnjë vend nga KQZ.

Po flitet për rreth 70 mijë votues shqiptarë të regjistruar, të cilët ose e kanë marrë fletën e votimit dhe nuk kanë votuar ende, ose nuk e kanë tërhequr fare. Nuk dimë se çfarë po ndodh me këta zgjedhës.

Për të gjitha këto problematika, do të bëjmë kërkesa zyrtare në KQZ.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco