Rekorde varfërie nën Ramën: Ushqimet kushtojnë më shumë se në Gjermani, Itali, Holandë, ndërsa pagat mbeten në fund të Europës

Rekorde varfërie nën Ramën: Ushqimet kushtojnë më shumë se në Gjermani, Itali, Holandë, ndërsa pagat mbeten në fund të Europës

12:48, 25/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Familjet shqiptare po përballen me një kosto jetese gjithnjë e më të papërballueshme, ndërsa të dhënat zyrtare të Eurostat hedhin poshtë pretendimet e qeverisë për rritje të mirëqenies dhe përmirësim të standardit të jetesës. Agjencia Europiane e Statistikave konfirmon se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të larta se në disa prej vendeve më të pasura të Bashkimit Europian, si Gjermania, Italia, Spanja dhe Holanda, megjithëse shqiptarët vazhdojnë të kenë ndër të ardhurat më të ulëta në kontinent.

Sipas Eurostat, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri gjatë vitit të kaluar arriti në 103.8 për qind të mesatares së Bashkimit Europian, i matur sipas standardit të fuqisë blerëse. Për krahasim, në Gjermani ky tregues ishte 102.4 për qind, në Itali 101.1 për qind, ndërsa në Holandë dhe Spanjë respektivisht 99.4 për qind dhe 95.3 për qind.

Të dhënat tregojnë qartë paradoksin shqiptar: qytetarët e një prej vendeve më të varfra të Europës paguajnë produktet bazë të jetesës më shtrenjtë se banorët e ekonomive më të zhvilluara të BE-së. Ndërsa pagat dhe pensionet mbeten në nivele modeste, çmimet e ushqimeve vazhdojnë të rëndojnë çdo ditë e më shumë mbi buxhetet familjare.

Image

Diferenca bëhet edhe më e dukshme në krahasim me vendet e rajonit. Sipas Eurostat, niveli i çmimeve të ushqimeve në Maqedoninë e Veriut është 74.8 për qind e mesatares së BE-së, në Bosnje-Hercegovinë 85.8 për qind, ndërsa në Serbi 97.1 për qind. Kjo tregon se shqiptarët jo vetëm paguajnë më shumë se fqinjët e tyre, por përballen me një barrë shumë më të rëndë në raport me të ardhurat që sigurojnë.

Për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës, familjet shqiptare detyrohen të shpenzojnë një pjesë disproporcionale të buxhetit të tyre vetëm për ushqime. Aktualisht, shqiptarët shpenzojnë 35.6 për qind të të ardhurave totale për produkte ushqimore, ndërsa mesatarja në Bashkimin Europian është rreth 13 për qind.

Image

Kombinimi i çmimeve të larta me të ardhurat e ulëta po prodhon një varfërim të vazhdueshëm të familjeve shqiptare. Pavarësisht propagandës për zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies, shifrat tregojnë se qytetarët po paguajnë gjithnjë e më shumë për nevojat bazë të jetesës. Ekspertët e lidhin këtë situatë me mungesën e konkurrencës në tregje, nivelin e lartë të taksave mbi produktet bazë dhe dështimin e politikave qeveritare për të mbrojtur fuqinë blerëse të qytetarëve. Në vend të masave për uljen e kostove, shqiptarët po përballen çdo ditë me një realitet ku ushqimi kushton si në Europën e pasur, ndërsa të ardhurat mbeten sa në vendet më të varfra të rajonit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco