Bylykbashi prezanton qëndrimin e PD për reformën zgjedhore: Nga listat e hapura te koalicionet dhe vota e diasporës

Bylykbashi prezanton qëndrimin e PD për reformën zgjedhore: Nga listat e hapura te koalicionet dhe vota e diasporës

11:34, 25/04/2024
A+ Aa A-

Në një konferencë për shtyp, nënkryetari demokrat, Oerd Bylykbashi prezantoi publikisht propozimet dhe qëndrimet e opozitës për reformën zgjedhore.

PJESË NGA FJALA E BYLYKBASHIT

Sot jemi para jush për të bërë prezantimin publikisht të qëndrimit të PD në lidhje me reformën zgjedhore.

Një qëndrim i cili është prezantuar para grupit parlamentar, po ashtu është diskutuar edhe me aleatët e PD në kuadër të Federatës Opozitare.

Është një qëndrim që përmban pikat kyçe që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira dhe të ndershme.

Është një qëndrim që gjithashtu i jep përgjigje problematikave të rënda që zgjedhjet në Shqipëri kanë pasur këto 10 vitet e fundit, por në mënyrë të veçantë në vitin 2021 dhe 2023.

Kjo platformë e PD i përgjigjet Librit të Zi të Zgjedhjeve 2023, që u konfirmua me të njëjtin ton kritik të rëndë edhe nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR.

Sigurisht gjuha e përdorur në këtë libër është e ndryshme, por problematika është e njëjtë.

Fakti që OSBE/ODIHR në një seri raportesh në rekomandimet prioritare, që ngërthejnë problematikat më të rënda, tashmë i kondensuar çështje të tilla si shitblerja e votës, abuzimi masiv i shtetit në zgjedhje, përdorimi i të dhënave nga sistemi kriminal dhe gjigant i patronazhimit.

Kjo platformë u përgjigjet këtyre pyetjeve.

Pa u zgjatur do kaloj te çështjet që përfshin kjo platformë.

Janë dy elemente shumë të rëndësishme.

E para, PD kërkon rikthimin te Marrëveshja e 5 Qershorit 2020. Kjo marrëveshje jo vetëm trajton të gjitha problematikat e zgjedhjeve, të cilat vetëm sa janë rënduar edhe më shumë, duke e bërë më dramatike situatën e standardeve zgjedhore.

Është një marrëveshje që ka konsensusin e palëve politike. Është një marrëveshje që nuk u përshëndet vetëm nga ambasadorët, por u përshëndet edhe nga kancelaritë diplomatike në Uashington, në Bruksel, Berlin e me radhë.

Pra është një bazë shumë e fortë që ne të ecim përpara dhe Edi Rama nuk mundet t’i shmanget.

Edi Rama e rrëzoi këtë marrëveshje me ndryshimet e njëanshme kushtetuese të sistemit zgjedhor.

Kur flasim për rikthim, ne kërkojmë që sistemi zgjedhor të rikthehet në parametrin thelbësor që e kishte. Në këtë aspekt, çështja që ne kërkojmë është rikthimi i koalicioneve siç kanë qenë deri në vitin 2020.

Koalicione të partive politike ku çdo parti shfaqet me emrin e vet dhe kanë kutinë e vet ku zgjedhësi zgjedh partinë që do.

Pra, po kërkojmë listën e hapur të partive të koalicionit.

Por të njëjtën kohë të jetë edhe koalicioni me listë të përbërë ku çdo parti del me listë të përbërë. Partitë të zgjedhin koalicionin që duan, e rëndësishme është që zgjedhësit të votojnë partinë që duan dhe më pas të votojnë edhe kandidatin e secilës parti që duan.

Kjo ka qenë nga viti 2003 deri në vitin 2008, kur kodi zgjedhor i ka pasur të dy versionet e koalicioneve. Ky është një model funksionues që ka garantuar dy herë rotacion politik.

Çështja tjetër po në këtë aspekt është e garantimit që të mos ketë pabarazi vote.

Aktualisht me ndryshimet kushtetuese të korrikut dhe tetorit 2020, duke hequr koalicionin u bë e mundur të hiqej edhe një mekanizëm tjetër i rëndësishëm siç është formula zgjedhore, e favorshme për partitë politike të mesme apo të vogla.

Pse flas për pabarazi vote? Kemi rastin e LSI që mori 108 mijë vota dhe vetëm 4 mandate dhe PSD e Tom Doshit me 30 mijë vota mori 3 mandate. Kjo është një padrejtësi ulëritëse, e papranueshme që fyen çdo standard kushtetues dhe ndërkombëtar.

Ajo që kërkojmë ne që kjo të zgjidhet dhe mekanizmi për këtë të përfshihet në mekanizmin e koalicionit që duhet të kthehet në kod zgjedhor.

PD qëndron gjithashtu plotësisht edhe për listat e hapura. Jemi për standardin më të mirë që përdorin shumica e shteteve europiane në këtë aspekt.

Gjithashtu kolona e dytë e rëndësishme që ka lidhje me Marrëveshjen e 5 Qershorit, ne angazhohemi në kuadër të përmirësimit të kuadrit ligjor, në mënyrë të veçantë forcimit të kornizës penale ligjore, të trajtojmë rekomandimet përfundimtare dhe ato prioritare të OSBE/ODIHR të vitit 2021 dhe 2023. Janë rekomandime shumë të rënda dhe na duhen edhe dispozita të reja penale ose të forcojmë dispozitat ekzistuese.

Ndëshkimi të jetë më i fortë ose të detajojmë më mirë shkeljet me figura të reja specifike penale në mënyrë që prokuroria ose SPAK të mos vijnë rrotull dhe t’i hedhin hi në sy shqiptarëve duke bërë sikur hetojnë.

Pikërisht mosveprimi i këtyre prokurorive ka prodhuar perceptimin, ndjenjën e pandëshkueshmërisë te këta zyrtarë të administratës, që me urdhër nga Edi Rama dhe ministrave, vendosin të blejë vota.

Gjithashtu PD angazhohet të kontribuojë që në një kohë sa më të shkurtër të bëjë realitet votën e diasporës. Votën e të gjithë shqiptarëve praktikisht.

Ne e dimë se censusi ka prodhuar të dhëna dramatike dhe PS i fsheh, boll të mos tregojnë se Shqipëria është shpopulluar dhe për rrjedhojë shumica e zgjedhjeve janë jashtë Shqipërisë.

PD angazhohet të analizojë me seriozitet problematikat e votimit elektronik të shfaqura në zgjedhjet e fundit.

Një sistem i cili mund të sjellë avancime shumë të mëdha në standardin zgjedhor, duhet të jetë i sigurt dhe i besueshëm.

Një tjetër propozimi i yni është që votimi të jetë i detyrueshëm në përputhje me shtetet të tjera që e përdorin këtë mekanizëm.

Duket sikur detyrohet zgjedhësi, por në fakt është mbrojtje e zgjedhësit. Pra mbron të drejtën e tij për të votuar i lirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco