KLP, jo si Këshilli i Lartë i Partisë

KLP, jo si Këshilli i Lartë i Partisë

14:12, 17/04/2024
A+ Aa A-

Nga Basir Çollaku/

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, u gjend ndoshta jo pa të drejtë, në një qëndrim mbrojtës ndaj strukturës së posaçme të prokurorisë, duke dënuar reagimet e ish-kryeministrit Ilir Meta ndaj saj. Natyrisht bëjnë mirë, kur nuk janë indiferentë dhe shprehen në anën e SPAK dhe duhet ta përsërisin më shpesh, pa ndarë ngjyrën e politikanit, e llojin e karriges mbajtëse të tij. Sigurisht, kur ata çmojnë se ndaj tyre, prokurorëve, reagimi politik është i pavend, apo i dëmshëm. Prokuroria nuk duhet mbështetur pa kushte. Ajo ka kusht Kodin Penal, të Procedurës, Kushtetutën, provat, barabartësinë para ligjit, jo selitë e partive apo ambasadave. Me drejtësinë duhet të përballen më të njëjtin standard të gjithë, por jo të përbalten.

Ky Këshill, ka qenë aty në shumë raste dhe ka shkëlqyer me mungesën e reagimeve të pritshme. Nuk ka mbetur më keq në sjellje anemike as Këshilli i Lartë Gjyqësor. Këto institucione, prodhime të Reformës në Drejtësi, kanë qenë njëlloj gojëmbyllur, kur Edi Rama fshikullonte SPAK, apo Gjykata, për ngjarje e dosje të caktuara të ministrave të tij, bashkiakëve të tij, drejtorëve të tij, drejtuesve të policisë së tij, administratës së tij, e shumëkënd në qeli apo prag qelie. Nuk pipëtinë as kur Rama donte të bënte Komision Parlamentar ad hoc, për të kontrolluar ligjërisht e politikisht këtë Prokurori, por trysnia e ndërkombëtarëve ç’bëri këtë përpjekje. Nuk u fjalosën as kur kryeministri udhëzonte të gjithë ministritë për të mos hapur dyert për trokitjet e Prokurorisë dhe komunikimet do të ishin në oraret e oreksit qeveritar.

Nuk patën kohë e nge dhe dëshirë, të thonë ndonjë llaf, as kur kryesocialisti deklaronte publikisht se Prokuroria e Posaçme duhet të merret edhe me opozitën jo vetëm me mazhorancën. As kur orientonte në kongreset e partisë, se përse SPAK nuk po heton Berishën, se ai, është non grata dhe ata duhet të prodhojnë një çështje apo dosje, për të konfirmuar vërtetësinë e një qëndrimi amerikan, ndonëse pa asnjë fije shkresë të publikuar gjëkundi si prove nga ana e tyre. E ashtu ndodhi, porosia mori udhë. Pa prova, pa fakte, pa asgjë, duke rikthyer si model gjyqet politike të së shkuarës. Të njëjtët anëtarë të Këshillit të cilët ngazëlleheshin para raportimit të Dumanit e frikoheshin kur bënin pyetje, se mos shkelnin ku nuk duhej.

Ndonëse janë strukturë formalisht emëruese e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, është një rregullore e Prokurorisë me fuqi ligji, e cila konfirmon ose refuzon zgjedhjet e tyre, duke e mbivendosur atributin. Nga komisionet e dy shkallëve të rivlerësimit, KPK dhe KPA, Këshillat e Prokurorisë e Gjyqësorit kanë familjarët e tyre, bashkëshorte, fëmijë, të afërm, oficerë e punonjës në Byronë Kombëtare të Hetimit, apo Prokurorinë e Posaçme. Ky është një kompromis jo i vogël me shenja të dukshme të konfliktit të interesit, kur numri qokave e kapërcen 20 përqindëshin e strukturës. Nga dhjetori vitit 2023, janë së paku tre anëtarë të këtij Këshilli nga kryetari Alfred Balla, Nurihan Seiti dhe Tartar Baze, e njëlloj në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Kjo harresë socialiste për ligjshmërinë e funksionimit të institucioneve sipas afateve kushtetuese të mandateve, nuk i shërben vetëm njërës palë, por të dy miopëve apo symbyllurve. Nga KPK dhe KPA prej kohësh janë dërguar shkresa gjithkund, e kërkojnë tu ruhen vendet, afro 16 të tillë, pas vitit 2016-të, nëpër gjykata Apeli, apo atë të Lartë, se ndryshe bie cilësia e punës së tyre. Ata mendojnë se kanë sakrifikuar për reformën. Ndoshta jo pak edhe për partinë qeverisëse..Djem të partive qeverive e drejtësisë, kujdes sky-encrot, nuk ju nxjerr nga belaja as SPAK, qameti do ta ngadalësojë, si shpërthim të kontrolluar..

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco